Katër vite pa ikonën e valles së Karadakut, Zija Aliun
Katër vite më parë, pikërisht më 4 shtator, iku nga kjo botë valltari e veprimtari i njohur i anës së Karadakut, Zija Aliu-Remniku.
Vajza e tij Arbenita ka bërë sot një dedikim:
Babi sot u bënë katër vite që kur me nuk je në mesin tonë, por shpirti yt jeton ende në mua. Ti ishe miku im më i mirë, udhërrëfyesi im dhe drita që më forcoi të bëhem kjo që jam sot. Zemra e jote e mirë dhe humanizmi të bënë njeri të rrallë, që nuk harrohesh kurrë. Besoj se shpirti yt është pranë meje, duke më ruajtur dhe më dhënë forcë në çdo hap të jetës. Kujtimi për ty është bekim që nuk shuhet asnjëherë. Krenare që jam bija jote, shpirti yt i bardhë u prehtë në paqe!
Zija Aliu u lind më 22 janar 1951, në fshatin Remnik, komuna e Vitisë, ku e kreu shkollimin fillor.
Shkollimin e mesëm (Normalen) e kreu në Gjilan e Ferizaj (shkaku se u përjashtua në Gjilan, si pjesmarrës i demonstrative të vitit 1968).
Nga viti 1972 – 1992, punoi mësimdhënës nëpër shumë shkolla fillore në komunën e Vitisë.
Në vitet 1982 – 1987 i përjashtuar nga procesi mësimor, shkaku i vënies në skenë të Valles së Kaçakëve, në Festivalin Ballkanik të Folklorit “Ohri ‘81”.
Nga viti 1992 e këndej, ushtron biznes privat si dhe veprimtari kulturore.
Ka qenë anëtar i SHKA “Zenel Hajdini” – Gjilan, “Kastrioti” – Ferizaj. Themelues i SHKA “Rreze Dielli” – Remnik. Ka vepruar në SHKA “Ramiz Sadiku” dhe në Anamblin “Shota” – Prishtinë.
Në vitin 1976 themelon ansamblin e folklorit në nivelin komunal të Vitisë, i pagëzuar së voni me emrin e dëshmorit ‘Kemajl Azizi’.
Ka marrë pjesë në dhjetëra e dhjetëra festivale në nivel vendi që nga Gjilani, Gllogovci, Prizreni e Prishtina, në dhjetëra e dhjetëra përfaqësime të Kosovës, në shtete të ndryshme të Ballkanit e Europës.
Po ashtu ka qenë anëtar i AKV Gurra nga Gjilani, si valltar por edhe performues i lojërave popullore dhe sponzorizues i veprimtarive brenda e jashtë Kosovës.
Ka marrë shumë shpërblime: Tri herë, valltari më i mirë i Kosovës për luajtjen dhe demonstrimin e valleve burimore të Karadakut.
Në vitin 2005, në një festival të folklorit në Francë, në mesin e 16 shteteve pjesëmarrëse, nderohet me Kupën “Ganat 2005”.
Më 2006, në Ankara të Turqisë u ndahet Shpërblimi Special për kontribut të veçantë dhënë kulturës.
Më 2008, në Shqipëri (Bajram Curri 2008)
Çmimi i madh “Panajot Kanaqi, si valltari më i mirë.
Eshtë marrë edhe me veprimtari humanitare, pajtimin e gjaqeve, konflikteve e ngatërresave të ndryshme në Viti e Anamoravë.
Ka sponzorizuar shumë veprimtari kulturore përmes firmës private PRES – COM – Viti.
Ndihmues i familjeve skamnore dhe shoqatave të ndryshme të themeluara pas luftës.
Zija Aliu ishte njohës, kultivues dhe afirmues i traditave kulturore shqiptare të Krahinës së Karadakut, të cilës po i mungon prej vitesh, ndonëse emri i tij do të mbetet i pavdekshëm.
Mbi të gjitha ishte ikonë e valles së Karadakut./Mediafokus.info


 
 
						 
						