KEDS-i po i dëmton qytetarët e Kosovës, njehsorët eklektikë nuk janë të sinkronizuar me kohën reale
Qytetarët e Kosovës, vazhdimisht ankohen për fatura të larta të rrymës elektrike, sado që përpiqen të kursejnë.
Ata thonë se nuk po i ndihmon as kujdesi i shtuar për të përdorur bllokun e ultë tarifor, prej orës 23:00-08:00.
Një qytetar i tregoi portalit Mediafokus se gjatë ditës angazhon fare pak kilovatë rrymë, pasi nuk gjendet në shtëpi dhe kujdeset që pajisjet si lavatriçja, enëlarësja, hekuri, ngrohësi i ujit e të tjera, t`i lëshojë pas orës 23:00.
Megjithatë atij i faturohen më shumë kilovatë të harxhuar me tarifë të lartë se sa me të ultën. Ai tha se nuk po arrin ta kuptojë se si ndodhë kjo.
Mediafokus i ka shikuar disa njehsorë elektrikë dhe ka parë raste ku orët e brendshme nuk janë të sinkronizuar me kohën reale.
Pra, kur ti mendon se je duke shpenzuar me tarifë të ultë, në të vërtetë je duke shpenzuar me tarifë të lartë.
Njehsori digjital që Mediafokus shikoi për t`u bindur si qëndron e vërteta, kishte dallim me kohën reale prej 9 orësh.
E dihet se tarifat regjistrojnë sipas orës së brendshme të njehsorit.
Duke mos i sinkronizuar orët me kohën reale, KEDS, i cili është përgjegjës për këtë, po i dëmton qytetarët padrejtësisht me qindra e mijëra euro në vit.
Tek njehsorët digjitalë, qytetarët nuk mund të ndërhyjnë as për t`i ndryshuar dhe as për t`i rregulluar orët, madje ata as që mund ta vërejnë këtë dallim.
Pra përgjegjësia për këtë bie mbi KEDS-in. Kompania duhet t`i kompensojë qytetarët e dëmtuar. Mbase, jo të gjithë njehsorët mund të jenë gabim.
Është pikëpyetje e madhe përse në faturë, pos datës kur lexohet gjendja, nuk figuron edhe ora e saktë, pasi që njehsorët kanë orë të brendshme./Mediafokus

