Keqpërdorimi i votave, kryeprokurori i Prizrenit autorizon Policinë të identifikojë personat përgjegjës
Lidhur me dyshimet e shpërfaqura për keqpërdorim të votave, kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Petrit Kryeziu, sot, më 18.01.2026, ka autorizuar Policinë e Kosovës që të identifikojë personat përgjegjës, të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet.
Kështu ka thënë Kryeziu për KALLXO.com.
Ai ka thënë se tani që rinumërimi po i afrohet fundit janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit.
Sipas tij, çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndrojë i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale.
“Manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis”- ka thënë ai.
Pas rinumërimit të gati gjysmës së vendvotimeve, për të cilat KQZ ka vendosur që të shkojnë në rinumërim, janë shpërfaqur dallime të theksuara te disa kandidatë për deputetë te partitë politike, duke ngritur shqetësime dhe reagime për vjedhje të votave brenda vetë partive.
Dallimin më të madh në vota, sipas të dhënave të KQZ-së, janë në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), ku disa kandidatëve të kësaj partie pas rinumërimit u kanë dalë mijëra vota minus.

