Kërcënohet kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka qenë cak i kanosjes  të mërkurën në sheshin “Metush Krasniqi” në këtë qytet.

Për rastin tashmë janë vënë në dijeni organet e rendit dhe si rezultat një person ka përfunduar në Polici, raporton Gazeta Sinjali.

Në bazë të informacioneve të para, i dyshuari është kapur me Rahimajn duke i kërkuar llogari lidhur me një çështje për procesin mësimor të vajzës së tij (vajzës së të dyshuarit).

Për pasojë, debati ka eskaluar në kanosje, për çka rasti është denoncuar në Polici, ku kryetari Rahimaj ka dhënë deklaratën e tij lidhur me atë që ka ndodhur.

Pas raportimit të incidentit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën me të cilën ngarkohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetim në drejtim të veprës penale “Kanosje”.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Gjilan, teksa Rahimaj nuk është përgjigjur në telefon.

“Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte kanosur viktimën mashkull  kosovar. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.” – thuhet në njoftimin e Policisë.