Kërkuan ta anulonin: Eminem i përgjigjet gjeneratës Z

Eminem ishte trending në TikTok, kur përdorues të platformës u shprehën se do të anulonin reperin për tekste të diskutueshme në të kaluarën, përfshirë edhe bashkëpunime të njohura si ai me Rihanna-n, “Love the Way You Lie”.

Në një postim në Instagram, Eminem iu përgjigj gjeneratës Z përmes një pjese nga kënga “Tone Deaf”, publikuar në vitin 2020 si pjesë e albumit “Music to Be Murdered By”.

“Unë nuk do të ndaloj edhe kur flokët të më thinjen / sepse ata nuk do të ndalen derisa të më anulojnë,” shkruan ai si mbishkrim një pjesë të këngës “Tone Deaf”.

Metaforikisht, tone-deaf i referohet pandjeshmërinë për t’iu përgjigjur vërejtjeve dhe ofendimeve. Në këngë, ai thotë se është vështirë që ta arrijnë dhe se nuk do të ndalet asnjëherë.

“A e beson dot që gjenerata Z u mundua të të anulonte ty?”, “Ata thjesht nuk munden”, “Më i miri i të gjitha kohërave” etj., janë disa prej komenteve të fansave të reperit.

Gjenerata Z* mendon se muzika e Eminem është fyese. Përpjekja e këtij grupi për të anuluar Eminem për shkak të teksteve të tij është kundërshtuar fuqishëm nga millenials*. Në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok, videot që mbrojnë Slim Shady-n (Marshall Mathers) u bënë virale (Gjenerata Z: Të lindurit nga viti 1997 deri në 2015, pra 6-24 vjeç; Millennials: Të lindurit nga viti 1981 deri në 1996, pra 25-40 vjeç).

E gjithë çështja filloi në shkurt, kur një përdorues foli për tekstin e Eminem në këngën me Rihanna-n, “Love the Way You Lie” dhe tha se “përpiqet të tregojë si romantike dhunën”. Pas videos virale, millenials u kundërpërgjigjën. Dikush tha: “Dëgjoni këtu bebusha të vegjël. Eminem ka qenë këtu para se të lindnit ju!”

Në debate të tjera, gjenerata Z thotë se Eminem ka këngë edhe më problematike si “Superman” apo “Guilty Conscience” – që përshkruan një burrë që vret gruan dhe të dashurën e saj. Millenials, nga ana tjetër, thonë se këngë si “Love the Way You Lie” janë ndërgjegjësuese dhe jo “problematike”.

Duket se Eminem ka një “ushtri” të fortë që e mbron, por ikona e repit s’paska gjithë mbështetjen e brezit të ri.