Këshilli Gjyqësor i Kosovës deklarohet rreth procesit të verifikimit të listave
Këshilli Gjyqësor i Kosovës është deklaruar përmes një njoftimi për media rreth procesit të verifikimit të listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan Mediafokus.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) bazuar në ligj, në Memorandumin e Bashkëpunimit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe kërkesën e datës 18.01.2021, ka përfunduar verifikimin e 1081 kandidatëve për deputet për zgjedhjet e parakohshme të datës 14.02.2021.
Listat e kandidatëve janë dorëzuar në KQZ brenda afatit të përcaktuar në kërkesë. Me këtë rast, Këshilli ka përfunduar obligimin e vet në lidhje me këtë proces”, thuhet në njoftim.
Në ndërkohë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se nga të dhënat e KGJK-së, 47 kandidatë janë gjendur fajtorë për vepra të ndryshme penale.
“Nga përgjigjja që kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, rezulton se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për çertifikim kanë kandidatë të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, germën q, e cila specifikon se kandidat për deputetë nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1 080, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”, ka thënë Elezi.

