Këshilli protestues i Kamenicës letër Kuvendit: 500 nxënës nuk e vijojnë mësimin, mos e votoni buxhetin
Këshilli protestues i Kamenicës, të cilët po e kundërshtojnë reformën e arsimit të Qëndron Kastratit, i kanë nisur sot një letër publike këshilltarëve komunalë të kësaj komune, raporton Mediafokus.info.
Në këtë letër kërkohet nga ta që të mos e votojnë buxhetin që, sipas tyre, parasheh mbylljen e shkollave.
“Sot, kur para jush do të kërkohet të votoni buxhetin komunal, ne KËRKOJMË nga ju që të mos e votoni atë! Ju bëjmë THIRRJE PUBLIKE që të mos e përkrahni një buxhet i cili parasheh mbylljen e shkollave shqipe dhe mohimin e të drejtës për tu arsimuar të këtyre fëmijëve”, thuhet në këtë letër, transmeton Mediafokus.info.
Kjo është letra e plotë e Këshillit protestues
Letër e hapur publike drejtuar Partive politike dhe këshilltarëve komunal
Të nderuar përfaqësues të partive politike,
Të nderuar këshilltarë komunal,
Na lejoni që të ju drejtohemi për herë të parë në një letër të hapur publike, në emër të Këshillit Protestues në nivel të bashkësive lokale të prekura nga procesi i riorganizimi i shkollave, i filluar nga Komuna e Kamenicës.
Sot, kur edhe po shkruajmë këtë letër, më shumë se pesëqindtë fëmijë të disa fshatrave në Komunën e Kamenicës, është duke ju mohuar e drejta për tu shkolluar. Sot, bëhen tri javë që këta fëmijë nuk vijojnë mësimin si çdo fëmijë tjetër në Republikën e Kosovë, përjashtim bënë këtu fshati Busavatë që ka hyrë në vitin e dytë të rezistencës për të mos lejuar mbylljen e shkollës.
Një vit e sa javë po bëhen, që kur banorë të shumtë, prindër e fëmijë kundërshtojnë një projekt të tillë dhe prapë nuk kemi as edhe një tentim për përmirësim të gjendjes në arsimit të krijuar nga Kryetari i Komunës. Si komunitet, kemi organizuar një mori aktivitetesh të ndryshme demokratike në kundërshtim të kësaj iniciative, si: peticione në çdo lokalitet, takime të përbashkëta me institucione publike, këshilla të prindërve, takime me institucione qendrore, takime me Avokatin e Popullit, konferenca, intervista, reagime, indinjata etj., nga ku kemi shterur të gjitha format më demokratike të mundshme për të kundërshtuar këtë iniciativë.
Sot, kur para jush do të kërkohet të votoni buxhetin komunal, ne KËRKOJMË nga ju që të mos e votoni atë! Ju bëjmë THIRRJE PUBLIKE që të mos e përkrahni një buxhet i cili parasheh mbylljen e shkollave shqipe dhe mohimin e të drejtës për tu arsimuar të këtyre fëmijëve. Sot, kërkojmë nga ju, si përfaqësues të qytetarëve, të lokaliteteve prej nga vini, të mos bëheni pjesë e projektit për mbyllje të shkollave. Ne, si qytetarë, nuk ua kemi dhënë besimin tonë që ju të ia mundësoni një kryetari të komunës mbylljen e shkollave.
Prandaj, sot, vota juaj është më e vlefshme së kurrë më parë. Mos e përkraheni një buxhet i cili ndër të tjerash është i projektuar dhe parasheh mbylljen e shkollave shqipe.
Me Respekt,
Këshilli Protestues në nivel të fshatrave
/Foto: arkiv/

