Kështu e kujton nënkryetari i Bujanocit hoxhën e Konçulit që vdiq nga koronavirusi në Gjilan
Nënkryetari i Komunës së Bujanocit, Shqiprim Musliu është shprehur me fjalët më të mira për hoxhën Musa Beqiri i cili humbi betejën me koronavirusin në Spitalin e Gjilanit.
‘Vendi jonë sot humbi një nga njerëzit më të vyeshëm e të dobishëm, një atdhetar të devotshëm për vendin dhe tokën e tij, hoxhën e nderuar Musa Beqirin’, ka thënë Musliu.
Ai sot u largua nga kjo botë, por kujtimi për të dhe për veprimtarinë e tij do të mbetet gjithmonë në vetëdijen tonë. Ai ishte një shembull kuptimplotë, një hoxhë i nderuar nga të gjithë e një patriot i pashoq.
Përpos angazhimit të tij që shërbeu gjatë gjithë jetës si hoxhë i fshatit Konçul, ai ishte edhe një atdhetar i devotshëm për vendin e për tokën tonë.
Një nga momentet më të vështira të jetës së tij ishte dita e aksionit të parë të UÇPMB-së, ku ra dëshmor Komandat Fatmir Ibishi, ditë në të cilën u arrestua nga forcat serbe dhe u maltretua e u keqtrajtua edhe fizikisht, përkundër kësaj ai u bë edhe më i fortë dhe dha një kontribut të veçantë gjatë gjithë luftës sonë çlirimtare. Sepse ai kishte një amanet mbi supet e veta e ky amanet ishte liria dhe çlirimi i atdheut.
Ne sot e përgjithmonë do ta kujtojmë për kontributin e tij. Zoti ia bëftë jetën e përtejshme xhenet, ka thënë Musliu.


 
 
						 
						