Kështu e përkujton Ibrahim Uruqin bashkëluftëtari i tij: “Ah bre Hush…’
Ibrahim Uruqin – Hushin e ka rikujtuar sot, në 22-vjetorin e rënies së tij dëshmor i atdheut, bashkëluftëtari dhe bashkëvendësi Eshtref Uruqi.
“Ah bre Hush, edhe pse u bënë 23 vite pa ty, dhimbja dhe krenaria për ty vetëm sa po shtohet. Bashkë e filluam këtë rrugë dhe bashkë e përfunduam, nga se Kosova sot është e çliruar”, ka shkruar Eshrefi.
‘Ti shkove në pavdekshmëri duke i lënë një krenari jo vetëm familjes, bashkëshortes Imranes, vajzës Albulenës, djalit Endritit, por tashti edhe mbesës Marës, por edhe shumë mbesave e nipave të tjerë që do të lindin më pas. I bëre krenarë shokët, miqtë dhe gjithë popullin.
Sot, në këtë kohë pandemie, fëmijët e shkollës që mban emrin tënd nuk mund të recitojnë vjersha dhe të këndojnë këngë si zakonisht, por vendosen lule të freska pranë lapidarit tënd, për të të treguar ty dhe gjithë dëshmoreve tjerë respektin për vlerat e gjakut të derdhur për liri.
Sot kur e gjithë bota mban frikë nga pandemia, ty nuk të harruan as familja, as shokët, as miqtë, as populli, por ata zgjedhën qindra metoda tjera për të të përkujtuar.
Dhe sot lexoj statuset e shokëve, miqve, familjes, qytetareve në Facebook, janë postime që, sa shkaktojnë dhimbje, të japin edhe krenari për ty dhe gjithë dëshmorët.
Qoftë i paharrueshëm kujtimi për ty miku, shoku im. Lavdi veprës së dëshmorit të kombit Ibrahim Uruqi – Hushi. Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit’, ka shkruar Eshtref Uruqi, bashkëluftëtar.

