Kështu e rikujton mësuesin e gazetarisë publicisti Salih Kabashi
Publicisti Salih Kabashi e ka rikujtuar sot mësuesin e tij të gazetarisë, profesorin Ramiz Kelmendi, përmes një fotoje të vitit 2015, dy vjet para vdekjes së tij, të cilën e ka risjellë bashkë me shkrimin përkushtues për intelektualin e vlerave të larta…
Lamtumirë heroit të kulturës dhe legjendës së gazetarisë në Kosovë
Profesorin, kështu e kam quajtur gjithmonë, e kam pasur autorin tim të dashur. Drejtpërdrejt e kam njohur bukur vonë. E konsideroja më stilistin ndër gazetarët që shkruanin të shtunave në gazetën e përditshme Rilindja përgjatë viteve ’70-’80 të shekullit të kaluar.
Shkrimeve të tij, kryesisht të shkurtra u qasej me një entuziazëm të dalluar.
Fjalinë e fjalorin i kishte të begatshme. Ishte mjeshtër i vërtetë, në mos i vetmi mjeshtër ndër autorët e shkrimeve në rubrikën kulturore.
Shquhej për humorin e lehtë, ironinë, ndonjëherë edhe sarkazmin. Më pëlqenin bravurat e gjimnastikat e tij sintaktike. Me citatet e shkurtra që hidhte në shkrimet e tij dëshmonte kulturën e gjerë prej lexuesi e studiuesi.
Para se të largohesha nga Kosova dhe para se me ra në burg i kisha lexuar të gjitha ato që Ramiz Kelmendi kishte botuar.
Një kohë gati dhjetë vjeçare e kisha jo aq të lehtë përcjelljen si më parë të prodhimtarisë së tij letrare-zhurnalistike.
Në qershor 1990 ai erdhi në Lubjanë bashkë me më të shquarit e artit, kulturës e shkencës së Kosovës për të marrë pjesë në simpoziumin e organizuar nga Shoqata Migjeni dhe revista Alternativa për të debatuar rreth temës «Hapësira e përbashkët dhe e pandashme kulturore shqiptare.»
Ishte një rast që ta njihja për së afërmi idhullin tim në gazetari. Më fascinoi me gjallërinë e harenë që përhapte, për humorin e veçmas inteligjencën e tij.
Takimet tona të mëpastajme ishin më të shpeshta dhe ato u shndërruan në një miqësi e bashkëpunim.
Ka shumë shkrime të Ramiz Kelmendit te revista ime Republika. Ka dhe një kuvendim të gjatë dhe shumë përmbajtësor mes meje dhe atij për revistën në fjalë me titullin «Ç’po bëjnë me ne dhe, (sidomos) ç’po i bëjmë (ne) njëri-tjetrit».
Rreth mesnate kuptova se Profesori e paska lënë këtë botë. Kam një trishtim. Kam dhe një rikthim në historinë e raporteve tona. E thashë se e kisha model zhurnalistik.
Ka një ndërmjetëz në «historinë» e miqësisë sonë. Është e çuditshme por e vërtetë se mua dhe profesorin na prishi shi ai që të dy ne e kultivonin aq shpesh në muhabete e në shkrime. Humori!
«Faji» ishte imi. Unë që jam mahitë, kam bë humor e kam thumbuar veten e krejt botën, kisha pas shkruar tek rubrika Kronika skandaloze e Republikës se, ishte viti 1997, Ramiz Kelmendi ka qortuar nacionalistët shqiptarë që e dashkan Kosovën pa asnjë serb, të mos bëheshin të marrë që bashkë me serbët të zbojnë edhe serbijankat e bukura…
Ç’është e vërteta aty unë kisha thënë diçka që e nxirrte profesorin tim bukur merakli – grash…
Në fakt unë kisha «sqaruar» se profesori i donte dhe se profesorit i duheshin serbet, pasi që ai, kishe! shqiptaret, si ato në Kosovë si ato të Shqipërisë i donte vetëm si motra…
Profesori lexonte gjithçka dhe, edhe po të mos e kishte lexuar vetë atë dromcë të humorit tim, atij do t’ia kishin thënë të tjerët.
Përmbajtja e pusullës sime humoristike e kishte shokuar! Aq ishte hidhëruar, aq i kishte mbetur hatri sa edhe kur u ktheva në Kosovë, kur më shihte thyente rrugë, nuk ulej as kur e ftoja.
Ndjehesha keq dhe njëherit më vinin të qeshura. Gati-gati një vit nuk më pat folur, derisa një ditë erdhi çasti i pajtimit tonë.
Pritja ime dha fryt. Por duhet ta pranoj se me atë rast ishte prania e poetes e piktores së njohur, mikes sonë të përbashkët, Miradije Ramiqi, e cila ka qenë dhe ka mbetur një zonjë që kënaq sy, ajo që zbuti zemrën e zemëruar të Ramiz Kelmendit.
U ul me ne në tavolinë.
Pastaj miqësia jonë jo vetëm se u rikthye, u rivendos, por ajo edhe u kompensua e ridemensionua.
Herën e fundit e takova në Prishtinë gusht 2015.
Isha me Xhevat Limanin, aktorin e madh shqiptar, i cili gjatë vizitave të tij në Prishtinë profesorit i ka bë shoqëri, siç di vetëm ai! duke e respektuar jashtëzakonisht.
Ishte aty edhe juristi i shquar, miku im i çmueshëm Adil Fetahu.
U gëzuam të gjithë për shfaqjen e Ramizit. U morëm ngryk. Pa vonuar kërkoi t’i kishte librat e mi.
Nuk besonte se isha aq jo ambicioz e aq i pa interesuar në punë libërabërjesh…
Ramiz Kelmendi ose profesori im shumë i dashur ishte një hero i vërtetë kulturor i Kosovës.
Në gazetarinë tonë pa mëdyshje ka qenë pena më brilante.
Do ta kujtoj përherë dhe përgjithmonë do t’i jam mirënjohës për inkurajimin që i ka dhënë zhurnalizmit, publicistikës e editorializmit tim.

