Këta janë asistentët e deputetëve të Kosovës, paga e tyre arrin deri në 900 euro

Mbi 70 deputetë të Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e dhjetë kanë shfrytëzuar të drejtën për të pasur asistentë personal. Më shumë se gjysma e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje tashmë kanë angazhuar zyrtarë të lartë personal, 15 nga 22 të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë shfrytëzuar këtë të drejtë, 5 nga 14 deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë asistente dhe 5 nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Në listën e publikuar nga Insajderi nga Lëvizja Vetëvendosje emra si: Rozeta Hajdari, Agim Bahtiri, Adriana Matoshi, Egzon Azemi, Taulant Kelmendi e Valon Ramadani kanë marrë asistentë personal.

Ndërkaq në Partinë Demokratike të Kosovës të drejtën për asistentë e kanë shfrytëzuar Bedri Hamza, Enver Hoxhaj, Arian Tahiri, Rrahman Rama, Ganimete Musliu, Sala Jashari e të tjerë.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), asistentë kanë angazhuar në Kuvend Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Hykmete Bajrami, Fadil Hadërgjonaj dhe Janina Ymeri.

Tek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me asistentë në këtë nomenklaturë janë: Ramush Haradinaj, Time Kadrijaj, Besnik Tahiri, Daut Haradinaj dhe Bekë Berisha.

Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur për Insajderin se lista e zyrtarëve të lartë personal e deputetëve të angazhuar është deri më datën më 31 mars të këtij viti.

Paga e një asistenti, me shtesa dhe mëditje mund të shkojë deri në 900 euro bruto.

Angazhimi i asistentëve bazohet në Rregulloren Nr. 08/Rr-004 për Shtesa mbi Pagën bazë për Deputetë dhe për klasifikimin e Pagës për Stafin Mbështetës Politik të Kuvendit të Republikës së Kosovës.