Këta janë dy serbët e arrestuar në Gjilan, dyshohen për nxitje të përçarjes
Rastet e nxitjes dhe përhapjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit midis grupeve të ndryshme racore, fetare, etnike e të tjera, nuk janë edhe të rralla në vendin tonë.
Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur së fundmi në Gjilan, ku dy persona janë arrestuar, raporton Gazeta Sinjali.
Dy personat e dyshuar, shtetas të Serbisë, përfunduan në Polici për shkak të veprimeve të tyre ndaj disa qytetarëve në rrugën “Abdullah Tahiri” në Gjilan.
Sinjali ka mësuar se të dyshuarit për këtë rast janë Branko Todoroviq dhe Nebojsa Milkoviq.
Rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë kohës sa të njëjtit po kalonin tranzit në qytetin e Gjilanit dhe janë ndalur në afërsi të një lokali, ku janë vërejtur se kanë qenë të veshur me disa bluza me mbishkrime që nxisin përçarje.
Për pasojë, disa qytetarë janë ndier të provokuar dhe është raportuar rasti në Polici.
Si rezultat, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Me urdhër të tij, të dyshuarit janë lënë të lirë, ndërsa më tutje do të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.
