Këta janë gazetarët nga Anamorava që lanë gjurmë në mediat kosovare
22 gazetarë, publicistë e moderatorë e kameramanë nga rajoni i Gjilanit nuk jetojnë më. Vdekja i mori ata, një nga një, vit pas viti, por gjurmët e tyre në gazetarinë kosovare nuk do të zhduken kurrë, shkruan Mediafokus.
Hasan Bunjaku
Hasan Bunjaku (01. 01. 1944-22.03.2024), punoi gazetar në Radio-Gjilani e Rilindja.
Më 1999, ideoi dhe themeloi Radio Megavox, ku punoi si redaktor.
Tri vite para tij, më 17 janar 2021 ndërroi jetë gazetari Bedri Sadiku (Rilindja, Kosovapress…), i cili ndonëse ishte i lindur në Rahovicë të Preshevës, një kohë relativisht të gjatë ka jetuar me familje në Gjilan dhe ka punuar korrespondent nga kjo komunë.
Në të njëjtin vit (2021) ndahet nga jeta kameramani dhe fotografi Shaip Dubova (RTP).
Më 5 mars 2020, ndërroi jetë në moshën 70-vjeçare Ukshin Zajmi, gazetar i Radiotelevizionit të Prishtinës (RTP), TV MEN dhe bashkëpunëtor i shumë gazetave, revistave e mediumeve të tjera.
Më 19 dhjetor 2020 u nda nga jeta në moshë të re, Artan Bunjaku, gazetar e moderator në Radio-Megtavox, Radio-Rinia dhe media të tjera.
Dy muaj më përpara, më 22 tetor 2020, ndërroi jetë, gazetari, publicisti e studiuesi i letërsisë, Ramadan Musliu.
Në vitin 2013 ndëroi jetë në moshë të re gazetarja dhe moderatorja e Radio-Energy, Albina Syla.
Veçmas ishte i rëndë për gazetarinë e Anamoravës dhe Kosovës viti 2009, kur vdekja i ndau prej nesh kolegët Ibrahim Sefedinin nga Vitia (Koha ditore), i cili vdiq pas një sëmundje të rëndë, Hamdi Shabanin (Radio-Gjilani), i cili vdiq jashtë vendit dhe Ardita Sylejmanin (RTK),e cila vdiq në lindje.
Në fillim të atij viti (2009) iku gazetari Tefik Selimi (Bota sot), pas një sëmundje të shkurtër.
2019-ta do të mbahet mend për mortin që lëshoi mbi gazetarët e rajonit të Gjilanit.
Përndryshe, brenda viteve 2004-2018 kanë vdekur edhe tetë gazetarë të tjerë nga ky regjion.
Në dhjetor 2018 ndërroi jetë gazetari Xhavit Salihu (themelues dhe pronar i Radio-Star).
Gjatë vitit 2017 ikën kolegët Ganimet Klaiqi (Koha ditore) e Gani Korça (Radio-Gjilani), kurse në tetor 2015 ndërroi jetë gazetari Jusuf Bislimi (RTP).
Në vitin 2012, aksidentalisht humbi jetën gazetari Petrit Sherifi (Zëri), kurse një vit para tij (2011), vdekja e mori kolegun Ramadan Bislimi (Rilindja, Radio-Gjilani).
Në vitin 2010 vdiq Selman Vokshi, redaktor muzikor në Radio-Gjilan.
Jetën e humbi tragjikisht gazetari Bardhyl Ajeti (Bota Sot). Ai u vra në vitin 2005 dhe rasti i tij ka ngelur i pa zbardhur deri tani.
Më herët, gjatë vitit 2004 ndërroi jetë gazetari Rexhep Demiri (Rilindja, Pavarësia).
Para lufte kanë vdekur gazetarët Nexhat Mustafa (Radio-Prishtina) e Nexhip Bejta (Rilindja). /Mediafokus.info

