Këta janë të fuqishmit e PDK-së që pësuan nga anulimi i provimit të noterisë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se ka anuluar provimin e kontestuar të noterisë, që ka mbetur në gjysmë nga qeveria e shkuar.
Në një konferencë për media ajo ka thënë se ka vendosur të mos vazhdojë me procesin e përzgjedhjes së noterëve të rinj.
Sipas saj, ky proces nuk mund të shtyhet përpara për shkak të mungesës së ligjshmërisë dhe transparencës.
Pika e dytë e këtij vendimit, sipas saj, precizon që Ministria e Drejtësisë t’ua kthejë paratë kandidatëve që i kanë paguar për këtë proces.
Përveç kësaj, Haxhiu ka shfuqizuar vendimin e ish-ministrit për emërimin e komisionit për zgjedhjen e noterëve.
Anëtarët e këtij komisioni kanë pasur mandat trevjeçar.
Haxhiu e ka quajtur këtë proces të komprimentuar. Ajo ka thënë se konkursi për zgjedhjen e noterëve do të shpallet shumë shpejt për shkak se siç ka thënë ajo nuk do të lejohet të vazhdohet monopoli në këtë fushë.
Në qershor të 2019-s, provimin me shkrim për noterë të rinj e kishin kaluar së paku 50 kandidatë që ishin të afërm me njerëzit në politikë.
Pavarësisht reagimeve të shumta, ish-ministri Abelard Tahiri kishte vazhduar përpara me procesin.
Me 86 pikë, provimin e noterisë e kishte kaluar avokati shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë, Sami Istrefi.
Provimin e noterisë, me sukses e kishin kaluar edhe tri gratë e zyrtarëve të PDK-së.
Është bashkëshortja e ish-ministrit të PDK-së Hajredin Kuçi, Fatmire Jerliu, që kishin arritur gati pikët maksimale në këtë provim.
Derisa bashkëshortja e kryetarit të Drenasit, Shemsije Istogu-Lladrovci , këtë provim kishte arritur ta kalojë me 78 pikë, ndërsa bashkëshortja e deputetit të PDK-së, Rafet Rama, Xhyljeta Izmaku-Rama, me 74 sosh.
Pjesë e noterisë synonte të ishte edhe djali i axhës së kreut të PDK-së, Kadri Veseli, Hysni Veseli, dhe dhëndri i ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, Ekrem Dreshaj.
Florent Maliqi nga PDK dhe Feim Maliqi nga PDK, e njëherësh zyrtar i Ministrisë së Kulturës, gjithashtu synonin të bëheshin noterë të ardhshëm në institucionet e vendit.
Provimin e noterisë e kishin kaluar edhe zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë dhe këshilltarë të ministrit Abelard Tahiri.
Zyrtarja e kësaj ministrie, Floriana Rugova e kishte dhënë këtë provim me 86 pikë. E, provimin me sukses e kishte kaluar edhe zyrtari tjetër i kësaj ministrie, Isuf Jahmurataj.
Ardone Bahtiri, bashkëshortja e Bedri Bahtirit, zyrtar i lartë në Ministrinë e Drejtësisë, gjithashtu e kishte kaluar me sukses provimin e noterisë.
Me 70 pikë, këtë provim e kishte kaluar edhe Tea Blakaj, këshilltare e jashtme e Abelard Tahirit.
Kështu vendimi i ministres Haxhiu prek disa nga zyrtarët më të lartë të PDK-së./veriu.info

