Këta janë të rinjtë që përfunduan në Polici pasi gjuajtën me armë në një villë në Kamenicë
Publikimi i pamjeve ku shiheshin disa të rinj teksa argëtoheshin duke shkrepur me armë në një villë në Kamenicë, ka vënë në lëvizje Policinë, me ç’rast janë identifikuar dhe shoqëruar në Polici personat e dyshuar, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se personat të cilët janë intervistuar lidhur me këtë rast janë Mërgim Selishta, Elmirian Xhemaili, Dukagjin Llulluni, Fatlum Bilalli dhe Lorin Shala.
Villa ku të rinjtë u mblodhën dhe gjuajtën me armë është në fshatin Kranidell të Kamenicës, ku pas ekzaminimeve të nevojshme, Policia gjeti gëzhoja të armës me gaz, pushkë ajrore, e fishekë që janë sekuestruar dhe i takojnë të dyshuarit Selishta.
Ndërsa të dyshuarit tjetër, Elmirian Xhemailit, Policia ia ka sekuestruar dy armë, pasi i njëjti u shoqërua në stacion policor.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj tyre është iniciuar rasti për “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt.

