Këta janë tre mjekët e arrestuar në Prizren
Tre mjekë në Spitalin Rajonal në Prizren janë arrestuar pas rastit të rëndë që ka ndodhur dje në repartin e Gjinekologjisë, ku një foshnjë ka ndërruar jetë menjëherë pas lindjes.
Sinjali mëson ekskluzivisht se mjekët e arrestuar janë: Sami Reshitaj, Gazmend Sylejmani, Fisnik Sinani.
Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar në prezencën e avokatëve të tyre.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor’.
Kujtojmë se rasti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm dhe më pas babai i foshnjës ka njoftuar Policinë, pasi ai dyshon se kjo ka ndodhur për shkak të neglizhencës së stafit mjekësor.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme, teksa me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me shefin e repartit të Gjinekologjisë në Prizren, Sabajdin Gjini, por i njëjti ka refuzuar të prononcohet, duke thënë se me rastin tashmë po merren organet e hetuesisë.
……………
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

