“Ketë dynja e hijeshojnë evlat edhe malli”
Çfarë dhurate më të madhe mund të kemi sesa të arrijmë një shekull jetë? Cili mund të jetë urimi më i mirë, cila mund të jetë trashëgimia më e mirë se t’u tregosh njerëzve atë që ke përjetuar nëpër katër e më shumë gjenerata; se e mban mend fshatin me 25 shtëpi që tash numëron 85 sosh… apo se e mban mend ”kohën e turkit”, “… t’kralit”, ” … t’bugarit”, “të ‘talianit” apo “kohën e Rankoviqit” e “kohën e komunistit”, po edhe vlimet e tjera brenda kësaj periudhe si “të 68-tën”, “81-shin” e për të 90-tat dhe luftën e fundit të Kosovës për çlirim, lufta e fundit e shkive, siç shprehen ata vetë…
Mulla Rifat Haliti është njëri nga këta personazhe që kanë shkelur shekullin. Mulla Rifat Haliti (10.01.1919) i lindur në Kokaj, komuna e Gjilanit. Kur e vizituam, me shëndet nuk ishte mirë, por me ndihmën që i ofronin familja, ia dilte të mbahej. Përkujdesja familjare ndaj tij ishte për t’u lakmuar.
Isha takuar edhe shumë herë të tjera me hoxhën e nderuar, meqë ishte edhe shokë i gjyshit dhe i babait tim (të dytë të ndjerë tani) dhe gjithmonë kisha mësuar shumë nga ai, bile edhe tregime për prindërit e mi që nuk i dija më parë.
Kishte urtësinë dhe komunikimin për t’i pasur lakmi. Dinte mjeshtërisht ta barte bisedën dhe njohuritë e tija tek bashkëbiseduesi.
Më 21 tetor ishte takimi ynë i fundit. Ndenjëm nja një orë (që do të doja të mos ishte, sepse kishte ende shumë për të na treguar dhe mësuar) dhe gjatë bisedës tregoi për kohën dhe vendet ku kishte punuar: “15 vjet kam punue në Sllubicë si imam dhe vullnetarisht ja kam lëshu vendin e punës si imam atë kohë mulla Xhaferit”.
Dhe vazhdoi tregimin e tij: “Prej Sllubicës masi ja lëshova venin mulla Xhaferit ja nisa me punue si imam në Caravajkë (ku xhamia e fshatit sot mban emnin e tij) ku kam punue për 25 vite pa ndërpre. Atëherë na nuk punojshum veç si imamë po edhe fminë në të shumtën e rasteve i msojshum sidomos gjatë muajve të Ramazanit. Po atëherë û kanë ma shtirë se edhe s’kemi pasë si sot me shka me udhëtu, s’ka pasë kerre e autobusa si sot; shpesh kemi udhëtue edhe në kamë ose me kuaj, magar e besa edhe me kie ose me lopë”.
Ai tregon edhe për kohën, siç e quan, e “komunistit”. Ajo kohë për neve hoxhollart nuk û kanë e lehtë se jena kanë në shënjestër, bile shum prej neve edhe të përcjellun se komunistat s’kanë besue n’Zot edhe na rujshin neve shka po folum, po nuk po due shum me folë për atë kohë ”, thotë mulla Rufati edhe ashtu i lodhur mjaft nga shëndeti edhe mosha që kishte.
Djemtë (Halili dhe Haliti që ishin të pranishëm atë ditë me ne), lidhen në muhabetin tonë dhe tregojnë se sa shumë kishte lexuar kur ishte mirë me shnëndet: “Kurrë nuk e kemi pa tue nejtë, gjithmonë ka lexue; kishte ditë që ka 5 – 6 orë në ditë lexonte dhe nuk dilte jashtë. Ka pasur kujtesë shumë të mirë s’ka harrue kurrë për kurgja”.
Sa qëndruam aty gjatë muhabetit nga ajo që dëgjonte në mjetet e informimit dhe që ia spjegonin familjarët (nuk dëgjonte edhe krejt mirë duhej që t’i flisnim me zë pak më të lartë se normal) nuk ishte aspak i kënaqur me ato që dëgjonte për zhvillimet ne Kosovë si në aspektin plotik, po ashtu dhe në ate fetar, ku e kishte kaluar jetën në shërbim të popullit. Në mënyrë figurative na përmendi një si thënie si këngë; ”O çoban ka p’i çon dhitë, a po jav sheh najkah kryt”.
Kur e lutëm për një porosi apo këshillë, udhërrëfyese për ne brezin pas tij, më tha: “Ketë dynja e hijeshojnë evlat edhe malli”. (Gjilan, 21 tetor 2017) /Muhamed Sadriu–‘Bukuria e Rrudhave’/
…………………………………………………………
Note: Mediafokus.info mban ekskluzivitetin e publikimit të artikujve nga libri ‘Bukuria e Rrudhave’. Ndalohet rreptësishtë kopjimi dhe përdorimi i tekstit apo copëzave të tij.

