Këtë të shtunë në Gjilan mbahen garat e hapura në përpilimin e fjalëkryqit

Shoqata e Enigmatëve “Ndre Mjeda” në Gjilan, në kuadër të së cilës botohej dikur revista “Horizonti”, e para e këtij lloji në mbarë hapësirën shqiptare, me aktivitete të larmishme e simbolike do të shënojë 43- vjetorin e themelimit.

Në kuadër të këtij përvjetori janë paraparë një varg aktivitetesh të cilat do të mbahen këtë të shtunë, me datë 21 tetor 2023, në Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli në Gjilan, siç është gara e hapur në përpilim të fjalëkryqit më të mirë

Sipas organizatorëve janë parapa tri çmime: Çmimi i parë, i dytë dhe çmimi i tretë.

Pas garës, parashihet të mbahet një tryezë diskutimi me panelistë-enigmatë e të tjerë, ndërsa do të prezantohet një numër i veçantë i revistës “Horizonti”, i përgatitur enkas për shënimin e këtij përvjetori.

Siç bëhet e ditur, aktivitetet do të vazhdojë rreth mesditës së 21 tetorit 2023, me një debat mjaft interesant enigmologjik, me temë: “Enigmatika sot dhe sfidat në botimin e revistave për enigmatikë – organizimi dhe pjesëmarrja në Kampionate kombëtare dhe ato ndërkombëtare”.

Në fund, sipas rrjedhës së paraparë të aktiviteteve ditore, në këtë shënim përvjetori është paralajmëruar një vizitë në Muzeun e Qytetit të Gjilanit.

Me këtë rast, krerët e kësaj shoqate, ftojnë qytetarët të marrin pjesë në këtë event shumë atraktiv dhe interesant për ata që i kanë merak enigmat dhe fjalëkryqet./Rexhep Hasani/