Këto dy qytete të Kosovës dhe Shqipërisë nënshkruan binjakëzimin e parë

Gjilani dhe Kukësi – dy qytete këto të trojeve shqiptare, të cilat ende i ndan një kufi administrativ, në nëntor të vitit 2001, kishin nënshkruar të parët marrëveshjen për binjakëzim, duke hapur në këtë mënyrë një portë të re komunikimi në një mur që për shumë vite i pengoi shqiptarët të shiheshin mes vete, shkruan Mediafokus.info

Një delegacion i komunës së Gjilanit, në qershor të vitit 2002, vizitoi Bashkinë e Kukësit, për ta konkretizuar dhe thelluar më shumë bashkëpunimin me këtë qytet të veriut të Shqipërisë, i cili gjatë luftës në Kosovë, ishte shndërruar në një konak të ngrohtë për mijëra shqiptarë të dëbuar nga regjimi serb.

Në shenjë kujtimi të atyre ditëve të hidhura Kosovën, gjilanasve iu dhurua piktura “Zogu i paqes”, një simbolikë e malit “Gjallica”, që strehoi e bashkoi shqiptarët në ato ditë të tmerrit, të cilat janë pasqyruar edhe në librin “Kukësi në 79 ditë” dhe në një ekspozitë të fotografive, të cilën, gjilanasit patën rastin ta shohin në lokalet e Bashkisë.

Kukësi ishte dhe mbetet sinonim i konakut për shqiptarët e Kosovës, në një kohë kur ata po përballeshin me momentet më të rënda dhe në të njëjtën kohë, Kukësi ishte edhe prapavija më e sigurt e luftës në Kosovë.

Marrëveshja Kukës-Gjilan pati refleksione shumë pozitive edhe për komunat tjera dhe kjo u vazhdua pastaj me binjakëzimin e Pogradecit dhe Vushtrrisë. /Mediafokus.info