Këto ishin almiset që përdoreshin dikur në familjet tona
Izeir Hyda
Almiset janë mjetet dhe veglat e vjetra të punës që i kishte çdo shtëpi, çdo ekonomi familjare me të cilat shërbeheshin anëtarët e familjes dhe kryenin punë të ndryshme.
Pra, si të gjitha ekonomitë tjera familjare, ashtu e familjet pogragjase, kush më shumë e kush më pak, varësisht nga mirëqenia e tyre dhe niveli ekonomik, dispononin me mjete e vegla të ndryshme të punës.
Mjetet dhe veglat e punës janë përdorë që nga kohët e lashta. Njeriu e përdorte gurin në formë vegle apo mjeti të punës ashtu siç e gjente të gatshëm në natyrë.
Më vonë ai filloi të krijonte vegla të thjeshta prej guri duke ia përshtat dorës dhe veprimit që e kryente me këtë vegël.
Epoka e gurit, pra ishte periudha parahistorike e zhvillimit njerëzor.
Mjetet dhe veglat e para u krijuan prej druri e guri, por edhe prej kockave të shtazëve, si dhe prej balte të pjekur.
Shumë herët u krijuan edhe veglat e para muzikore që i përkisnin individit apo familjes.
Kur njeriu mësoi ta bënte dhe ta ruante zjarrin me të cilin shkrihej xehja, veglat e punës prej guri i zëvendësoi me ato metalike që ishin më të avancuara, e disa prej të cilave furnizoheshin me energji të ujit, avullit, të erës… që e lehtësuan njeriun nga puna fizike.
Njeriu, mjetet e punës i krijoi për ta siguruar ushqimin, veshmbathjen dhe strehimin.
Supozohet se njëra nga mjetet më të vjetra të gurit është një sëpatë dore që më vonë u punua nga metali, e cila u përdor para dhjetëra mijëra viteve, për të ardhur, deri në ditët tona (nuk besoj që ka shtëpi, që nuk ka sëpatë)…
… dhe që nga ajo kohë zhvillimi i mjeteve të punës nuk u ndal për asnjë moment…
Mjetet dhe veglat e vjetra të punës ishin në pronësi individuale, familjare e mahallore.
Në pronësi të përbashkët ishin mjetet më të vlefshme e më të shtrenjta (si p.sh., makinat për hedhjen e drithërave, mullinjtë e kafes etj.)
Mjetet më të vjetra janë krijuar për nevojat më elementare, nga profesionet më të vjetra, sikundër që janë krijuar edhe fjalët më të vjetra për t’i emërtuar këto mjete.
Dhe këto mjete, jo vetëm që janë një pasuri e madhe materiale e etnografike, por edhe një pasuri e madhe gjuhësore.
Almiset (mjetet dhe veglat e vjetra) të familjeve tona ishin të shumta si: pjatat prej balte, tava, çerepi, saçi, legragja, çanaku, kulluesja, strajcat me kullu hirrën e djathit, ibriku, kongja, kënata, (shtamba) lejka, rrometa, fshisa, kusia, kazani, kova e bunarit kriku (çekërka e bunarit), masha, tangari, verigu, lugët, xhezvja filxhanat, hekuri për hekurosje (hekuri me prush), qypi, vekshi, sofra, fundi, hotllogia (tëholluesja), bluda, magjja, sita, arkat, koshi i misrit, hambari, terplota (lopatë e madhe druri për hedhjen e drithërave), sepeti, koshat për kashtë, shporta, merica, lesja, shkomi, dybeku, tpini (tundësi), kaca, qerrja, zgjedha, llojtrat, kanatat, saji, koshat për zënien e peshqve, kosheret e bletëve, opingat, cigarellëku, kamishi, llulla, kutia e duhanit, unuri, eshka, shkopi për pleq, nallanet, tekërdijat, kasnaki, gjergjefi, gjilpëra, engishtja, barazani, defa(dajre), fyelli, kavalli, çiftelia…
Pastaj, mjetet tjera, pisha, fanari, llampa, bateria, sopata, thika, brisku, shpata, çekiqi, çekani, kulla, femza, drapri, kosa, brusi, kmesa, heksi, shati, lopata, kazma, qyskia, dalta, lima, terfurku, grabuja, parmenda, plugu, sharra, teshlica, burgija, turjela, gërshërët, shosha, dermoli, litari, zinxhiri, shuli i derës, dryni, freni, kopreshi, samari, shala, homi kuajve, strajca, thesi, duçit (hejbet), kandari, çakia (peshore me sustë), furka, boshti, shtiza, tezgjahu (veku) e shumë mjete e vegla të tjera;
… gjithashtu edhe makinat tjera të vjetra: makinat qepëse, makinat me shoklu misrin, makinat për hedhje, makinat për pastrimin dhe klasifikimin e drithërave, makinat shirëse…
Këto mjete ruheshin me shumë kujdes. Disa prej tyre ishin individuale dhe i përdorte vetëm një anëtar i familjes, ndërsa të tjerat ishin të përbashkëta dhe përdoreshin nga të gjithë.
Gjithashtu, familjet huazonin mjetet nga njëra-tjetra dhe pasi kryenin punë i kthenin ato.
Pa këto mjete as që ka mund të mendohet ekonomia familjare.
Me keqardhje konstatojmë, se një pjesë e këtyre mjeteve janë zhdukur, bashkë me to edhe emrat e tyre.
Pjesën tjetër i ka mbuluar pluhuri i harresës…
I motivuar nga poezia ‘Vdekja e almiseve’ të shkrimtarit Hivzi Sulejmani, iu qasa kësaj teme për t’i rikujtuar këto mjete, të cilat i përdorën paraardhësit tanë.
Shkrimtari ynë i njohur Hivzi Sulejmani në poezinë ‘Vdekja e almiseve’ me nostalgji e përshkruan kohën e shkuar. Ai përmes kësaj poezie shpreh mallin për nënën e vdekur.
I kujton edhe almiset që i ka përdorë ajo. Me këto almise, ajo ka përgatitur ushqimin. Ka mbajtur familjen.
Me vdekjen e nënës, poeti thotë vdiqën edhe almiset e saj dhe nuk ndihet më aroma e ushqimeve tradicionale.
Të gjitha ekonomitë tona familjare dispononin me një numër të madh të mjeteve e veglave të punës të cilat u përdorën deri kah çereku i fundit i shekullit të kaluar.
Një pjesë shumë e vogël e tyre përdorën edhe sot.
Të gjithë po gëzohemi për zbulimet arkeoligjike të mjeteve e veglave të vjetra si dëshmi për të kaluarën tonë.
Atëherë shtrohet pyetja, pse nuk po angazhohemi, që almiset e vjetra që na kanë mbetur diku në skajet e shtëpive tona, t’i pastrojmë e t’i ruajmë ato.
Almiset e vjetra të cilat tani më nuk përdorën janë ‘të vdekura’, por nëse ne nuk kujdesemi për to, nuk i ruajmë e nuk i arkivojmë, ato, nga harresa, mund të vdesin për së dyti.
Duke shpresuar se në shtëpitë tona ka akoma vegla e mjete të çmuara, (edhe pse ndoshta jemi vonuar pak) të angazhohemi secili dhe të gjithë së bashku të gjejmë sa më shumë e t’i ruajmë këto mjete, si trashëgimi materiale me të cilat do të bëhet pasurimi i arkeologjisë dhe etnologjisë së fshatit.
Ndoshta, një ditë, në një ardhme të afërt, kur t’i grumbullojmë këto mjete, do t’i vendosim në një vend, mini-muze që t’i ruajmë dhe ekspozojmë ato.
Këto mjete e vegla të vjetra tani heshtin. Mirëpo heshtja e tyre nuk do të jetë gjithmonë e zbrazët. Në muze, këto mjete do të flasin, do të na japin shumë përgjigjje.
Fshati Pogragjë ka afër 300 shtëpi. Ta zëmë se në njëqind prej tyre gjenden nga dy eksponentë. Kështu do t’i grumbullonim dyqind eksponente të mjeteve dhe veglave të vjetra të punës.
Këto mjeteve e vegla, në muze, do të pajisen me nga një kartelë në të cilën do t’i shënohet emri, pronari dhe përafërsisht koha e përdorimit.
Dhe pastaj, këto mjete, tani të heshtura, do të flasin vet.
Krahas pasurimit arkeoligjik do të ruhen edhe emrat e tyre si pasuri gjuhësore.
Duke i parë këto mjete, ne do t’i rikujtojmë edhe paraardhësit tanë. Do ta kujtojmë punën që kanë bërë ata, veprimtaritë me të cilat janë marrë.
Kështu edhe ne do të plotësohemi edhe gjeneratave të ardhshme do t’iu ofrojmë një pasqyrë reale me të cilën, ata, do ta krijojnë një parafytyrim për jetën e të parëve tanë në të kaluarën.


