Këto janë masat e reja anti-Covid që hyjnë në fuqi të shtunën

Komiteti për menaxhimin e pandemisë është mbledhur sot për vlerësimin e situatës epidemiologjike.

Pas mbledhjes, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi tha se kanë rekomanduar lehtësim të masave anti-COVID, të cilët do të miratohen nesër dhe të shtunën do të hyjnë në fuqi.

Latifi tha se janë krijuar kushtet për lirim të masave, transmeton lajmi.net.

Ora policore rikthehet nga 00:00 deri në ora 05:00, gastronomia lejohet deri në orën 23:00, maskat hiqen në ambientet e jashtme, në kufi lejohen të gjithë ata që kanë dy vaksina, ndërsa ata që kanë një vaksinë duhet ta kenë edhe testin PCR.

Latifi bëri thirrje që çdo veprimtari, së cilës i janë lehtësuar masat, duhet që të pranojnë vetëm ata qytetarë që kanë dy doza të vaksinës.

Ministri Latifi tha se nëse është e nevojshme mund të ketë përsëri shtrëngim të masave.