Këto ushqime ndikojnë në rritjen e tensionit të gjakut

Nëse matësi tregon vlerat midis 90/60 dhe 120/80 atëherë tensioni i gjakut është i shëndetshëm dhe në nivel ideal.

Nëse matësi tregon vlerat midis 120/80 dhe 140/90, atëherë tensioni i gjakut është pak më i lartë se mesatarja.

Nëse matësi tregon vlerat mbi 140/90, atëherë tensioni i gjakut është i lartë dhe klasifikohet si hipertension.

Nëse vlerat e të dy njësive arrijnë mbi 180 dhe 110 – atëherë duhet të shkoni menjëherë te mjeku

Tensioni i lartë i gjakut mund të jetë shkatërrimtar për zemrën, trurin dhe veshkat. Përpos kësaj, tensioni i lartë i gjakut shkakton komplikacione të tjera të rënda në lëvizjen e gjymtyrëve.

Tensioni i lartë trajtohet me medikamente, por së pari duhet të mësoni për ushqimet që e rrisin tensionin.

Nëse dëshironi të shmangni rritjen e tensionit të gjakut, atëherë duhet të jeni dorështrënguar me kripën, të kryeni më shumë aktivitet fizik dhe të ruani një formë të mirë trupore.

Këto janë ushqimet që rrisin tensionin:

Mishi i kuq: Mishi i kuq është i shijshëm por përmban shumë kolesterol dhe dëmton zemrën dhe enët e gjakut. Sipas të dhënave ku bazohet AgroWeb.org, një sasi prej 400 gramësh mish i gatuar përmban 254 miligramë kripë dhe 308 miligramë kolesterol. E njëjta gjë vlen për pançetën, sallamin apo proshutat.

Picat e ngrira: Këto ushqime mund të tingëllojnë ideale për një darkë të shpejtë, por një racion i kësaj pice përmban 1000 miligramë sodium. Prodhuesit e saj shtojnë kripë dhe substanca shtesë për ruajtjen e picës duke rritur rreziqet për tension të lartë.

Salcat e paketuara te domates: Salcat e domateve me paketime qelqi ose metalike rrisin tensionin e gjakut. Një paketim me salcë domate përmban 654 miligramë kripë. Një racion me makarona me salcë domate dhe mish përmban 1300 miligramë kripë.

Turshite e gatshme: Sipas të dhënave të cilave i referohet AgroWeb.org, një filxhan me lakër turshi jo të përgatitur vetë përmban 939 miligramë kripë. Turshitë e tjera përveç lakrës, si domatet apo kastravecët janë të zhytura në lëng me kripë. Një filxhan me kastravecë turshi përmban 1251 miligramë sodium. Njerëzit që vuajnë nga tensioni i lartë nuk duhet të hanë turshi të tilla. Maksimumi duhet të konsumojnë turshi të bëra vetë.

Alkooli: Një sasi e vogël alkooli nuk shkakton dëme, por nëse e teproni me pirjen e alkoolit atëherë ju do të rrisni tensionin e gjakut. Alkooli mundet të ndërhyjë kundër medikamenteve të tensionit të gjakut dhe të ulë efikasitetin e tyre.

Ëmbëlsirat e paketuara: Ëmbëlsirat, biskotat me mbushje shumëngjyrëshe që shiten në paketime të bukura janë të mbushura me sheqerna, yndyra të ngopura dhe kripëra. Ushqime të tilla rrisin tensionin e gjakut, sheqerin në gjak dhe gjasat e mbipeshës.

Pijet energjike: Konsumi i pijeve energjike e rrit tensionin sistolik me 6.2 për qind dhe atë diastolik me 6.8 për qind. Tensioni mesatar i gjakut rritet me 6.4 për qind pas pirjes së një pije energjike.