Këtu u nënshkrua deklarata e bashkimit të trojeve shqiptare nga familjet Rugova, Jashari e Ramadani

Në këtë vend, ku është hapur shkolla e parë shqipe, më 1905, është nënshkruar para një kohe edhe një deklaratë për bashkimin e trojeve shqiptare, nga përfaqësues të familjeve Rugova, Jashari e Ramadani si dhe pjesëmarrës të manifestimit për shkollën e parë shqipe, shkruan Mediafokus.info

Festa e shkollës shqipe, bashkon në këtë vend, shqiptarë nga të gjitha trevat etnike dhe diaspora, për të rikujtuar mësuesin e parë, Dom Mikel Tarabolluzi.

Hapja e shkollës së parë shqipe në Stubëll, nga historianët vlerësohet një ngjarje e madhe për kombin.

Përndryshe, Stublla si vendbanim daton që nga viti 1455.

Në oborrin e Kishës gjendet përmendorja e Don Mikel Tabuluzit, mësuesit të parë si dhe një monument kushtuar Martirëve të Karadakut (1846-1848).

Ish-Enti Krahinor për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, në vitin 1978 e kishte shpallur këtë objekt monument të kulturës, duke e emëruar “Muzeu i shkollës së parë shqipe në Kosovë”.

Objekti i kishës së Shën Gjergjit, është përdorë si shkollë, por historiku i saj, sipas dokumenteve të kishës, është më i vjetër.

Këtu, Kolegji i Shën Llukës kishte filluar punën në vitin 1584. Shkolla shqipe kishte funksionuar edhe gjatë vitit 1846, kur ndodh persekutimi dhe martirizimi i malësorëve katolikë nga pashai i Gjilanit.

Shkolla ka funksionuar edhe gjatë vitit 1872, 1888, 1896. Por, shkolla e parë shqipe e Stubllës përmendet më 1905, kojë kjo kur Imzot Pashk Trokshi themeloi famullinë e Stubllës, kurse famullitarin e atëhershëm të Famullisë së Letnicës, don Mikel Tarabulluzin e emëroi famullitar në Stubëll.

Si shkollë e parë shqipe, e pranuar zyrtarisht edhe nga Austro-Hungaria, është pikërisht shkolla e Stubllës e vitit 1905, me dom Mikel Tarabulluzin, pishtar i arsimit shqip në Kosovë, prift, mësues dhe rilindës i madh, i cili për këtë arsye u përndoq nga pushtuesit.

Për këtë arsye dhe të tjera, ai kishte angazhuar si mësues të vëllain, Jakë Tarbulluzin, i cili kishte mare pjesë në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, më 1912.

Shkollën katër klasash të dom Mikel Tarabulluzit e kanë ndjekur disa gjenerata.

Duhet të nënvizohet fakti se disa nga librat që ka përdorë Dom Mikeli asokohe në shkollë, edhe sot ruhen te kisha e vjetër e Shën Gjergjit.

Në këtë objekt fetar ka marrë rrugë shkolla e parë shqipe në Kosovë. Ajo sot, është një monument i mbrojtur kulturor, si vlerë e veçantë e trashëgimisë sonë kombëtare. /Mediafokus.info