Kjo është deklarata e plotë e Lutfi Hazirit për rastin tragjik të Agon Musliut

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka raportuar sot Komisionin Hetimor për menaxhimin e pandemisë nga Qeveria e Kosovës, lidhur me rastin tragjik të vdekjes së të riut nga Gjilanit, Agon Musliu, raporton Mediafokus.info.

Mediafokus.info ka siguruar deklaratën e plotë të Haziri dhënë këtij Komisioni, të cilën e nis ‘me zemër të thyer’.

“Kërkoj sërish nga organet e drejtësisë që të zbardhet deri në fund kjo ‘njollë e zezë’ e Kosovës”, shkruhet, ndër te tjera, në deklaratën zyrtare të Lutfi Hazirit./Mediafokus.info/

Ja deklarata e plotë e Hazirit, të cilën e ka siguruar Mediafokus.info:

Të nderuar anëtarë të Komisionit Parlamentar të Republikës së Kosovës,

Këtë deklaratë po e nis me zemër të thyer, pasi Gjilani dhe Kosova ka humbur tragjikisht një djalosh, që potencialisht do të ishte e ardhmja e Kosovës.

Pra, bëhet fjalë për humbjen e një studenti të shkëlqyer të masterit, i cili sapo kishte nisur hapat e tij të profilizimit, në Gjermani.

Fillimisht, ju njoftoj se për rastin e tashmë të ndjerit, Agon Musliu, kam dhënë deklaratë në organet drejtësisë, ku kam kërkuar zbardhjen e plotë të këtij rasti.

Kjo duhet të bëhet sa më shpejtë që të jetë e mundur, në mënyrë që shpirti i Agonit të pushojë i qetë, por edhe prindërit e të vetmit djalë, familja e tij dhe qyteti i tij, do të ndiheshin më të lehtësuar.

Të nderuar anëtarë të Komisionit Parlamentar,

Në ditët fundit të muajit prill, më ka kontaktuar në vazhdimësi përmes telefonit babai i të ndjerit, Agon Musliu, z. Naim Musliu, të cilin nuk e kam njohur kurrë më parë.

Ai ka kërkuar që të angazhohem personalisht në kthimin e djalit të tij në Kosovë, meqë ka mbetur i vetëm në banesë, pas mbylljes totale të shtetit gjerman si pasojë e pandemisë COVID-19.

E kam telefonuar ambasadorin e Kosovës në Gjermani, shkëlqesinë e tij z. Beqë Cufaj, për ta njoftuar me kërkesën e babait të Agonit, që në bazë të mundësive të Ambasadës atje, t’i mundësohet kthimi në atdhe.

Pas disa ditësh, më saktë më 1 maj 2020, më ka telefonuar z. Naim Musliu dhe ka kërkuar që t’i mundësohet të shkojë në aeroportin “Adem Jashari” për ta marrë djalin.

Qendra Operative Emergjente e Gjilanit, me 1 maj 2020, i ka shkruar letër zyrtare Qendrës Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila e ka kthyer përgjigjen se i jep leje z. Naim Musliu që të shkojë në aeroport.

Më 3 maj, z. Naim Musliu ka kontaktuar sërish Qendrën Operative Emergjente në Gjilan, duke kërkuar që t’i dërgohet kërkesë Qendrës Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pasi i ndjeri, Agon Musliu, nuk ndjehet mirë.

QOE e Gjilanit ka reaguar menjëherë përmes kërkesës urgjente ndaj QOE të MPBAP, për t’ia dërguar një psikiatër të ndjerit. Çka ka ndodhur më tutje me Agonin, ju tashmë i dini.

Meqë kam dhënë deklaratë më të detajuar në organet e hetuesisë, këtu përfundon deklarata ime për Komisionin Parlamentar të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kërkoj sërish nga organet e drejtësisë që të zbardhet deri në fund kjo ‘njollë e zezë’ e Kosovës.

Ju faleminderit!

Lutfi Haziri

Kryetar i Gjilanit

Gjilan, 5 tetor 2020