Kjo është infermierja nga Vitia që e mposhti kancerin dhe sot u rikthye në punë
Minavere Rrustemi nga Vitia vazhdonte t`u shërbente pacientëve në Viti, pa menduar se një ditë do të përballej edhe vetë me një sëmundje të rëndë.
Jeta e sfidoi edhe infermierën Rrustemi, e cila rezultoi me kancer në gji. Nga profesioniste shëndetësore që ndihmonte të tjerët, u detyrua të bëhet paciente që kishte nevojë për kolegët e saj, transmeton Plus TV.
Pas diagnostikimit me kancer ajo u përballë me shumë vështirësi e pasiguri gjatë trajtimeve mjekësore.
“Fillimisht kam bërë një memografi dhe rezonancë magnetike, pastaj kam bërë operacionin dhe katër cikle kimioterapi”, thotë Rrustemi.
Nëna e tre fëmijëve thotë se dëshira e madhe për jetën e ka ndihmuar për ta fituar betejën me këtë sëmundje të rëndë, që jo të gjithë ia dalin.
Fati i saj ishte që kancerin e kishte zbuluar në fazën e parë dhe ishte nën përcjellje të mjekëve, vijon raporti i Plus Tv.
Minaverja sot është kthyer në punë në QKMF-në e Vitisë, e shëruar dhe është pritur me shumë dashuri nga stafi dhe koleget e saj, të cilët i kishin qëndruar afër gjatë kohës sa ajo u përballë me kancerin.
Lutja e saj për gratë është që të bëjnë kontrolle të shpeshta dhe të ruajnë shëndetin.
Kaneceri i gjirit është një ndër sëmundjet më të shpeshta tek gratë, që mund të parandalohet nëse zbulohet me kohë.

