Kjo grua është zhdukur para 9 muajve, policia kërkon ndihmën e qytetarëve për ta gjetur atë
Më datë 05.05.2021, në polici është raportuar zhdukja e Zarife Igrishtës (1982), banuese në fshatin Mazgit të Obiliqit.
“Që nga dita e raportimit deri më tani, njësitet policore te hetimeve, kërkimeve si dhe patrullat në koordinim me prokurorinë përkatëse dhe në bashkëpunim të ngushtë me familjarët, kanë ndërmarrë një varg veprimesh si: -intervistime të personave që mund të ndihmojnë në gjetjen e vendndodhjes së personit, -kontrollimi i hyrje- daljeve, në të gjitha pikat kufitare, -kërkime në zona që personi kishte frekuentuar zakonisht (ambiente të mbyllura dhe të hapura), -analizimi dhe hetimi i çdo lloj informacioni që lidhet me personin, etj”, njofton policia.
Sipas policisë, veprimet dhe kërkimet policore janë duke vazhduar, mirëpo Njësia rajonale e hetimeve të përgjithshme, pas marrjes së autorizimit nga ana e prokurorit të shtetit, kërkon ndihmën e qytetarëve.
“Andaj, inkurajojmë të gjithë ata që kanë çfarëdo lloj informacioni, që ndërlidhet me të, t’ia kalojnë ato policisë përmes numrave :192 apo 045192092”, thuhet në apelin e policisë.

