Kjo ishte femra e parë në Kosovë që garoi për kryetar Komune

Në zgjedhjet e vitit 2007, në Gjilan, për postin e kryetarit të Komunës garuan shtatë burra dhe një grua, e cila zaten ishte femra e parë në Kosovë që garoi për një post të tillë, shkruan portali mediafokus.info.

Dy subjektet më të mëdha politike, LDK e PDK, deri në momentet e fundit nuk i kishin bërë të ditur kandidatët e tyre për ulësen e parë të Komunës.

LDK-ja vendosi të garojë me zonjën Lirie Kajtazi, ndërkaq PDK-ja, me Qemajl Mustafën.

Në anën tjetër, LDD-ja, e para e kishte bërë të ditur kandidatin e saj për Gjilan dhe ai ishte Xhemajl Hyseni, asokohe kryetar.

Lirie Kajtazi (LDK), Qemajl Mustafa (PDK) e Xhemajl Hyseni (LDD)  u sfiduan në garën zgjedhore për kryetar komune nga tre kandidatët e partive tjera – Sabedin Kadriu (AAK), Islam Zuzaku (ARK), Halim Vranovci (ORA) si dhe Hetem Bajrami e Faton Bislimi, kandidatë të pavarur.

Pra, pesë subjekte politike i kishin kandiduar liderët e degëve për kryetar komune, dy ishin të pavarur.

Lirie Kajtazi (LDK) ishte e vetmja femër, e cila garoi për postin e parë në një komunë të Kosovës, përballë shtatë burrave.

Siç dihet tashmë, garën asokohe e fitoi Qemajl Mustafa (PDK), në rundin e balotazhit, me Lirie Kajtazin (LDK)./Mediafokus