Kjo ishte femra e parë shqiptare nga Anamorava e diplomuar në histori
Rukije Haliti – Gjakova, e lindur në Gjilan (1945), ku e kreu shkollimin fillor dhe të mesëm me sukses të shkëlqyeshëm, është femra e parë nga Anamorava që diplomoi në histori, shkruan Mediafokus.info
Sipas librit të autorëve Shefik Haliti, Ilmi Rexhepi e Adem Ademi, për Shkollën Normale në Gjilan, Rukija, pas kryerjes së gjimnazit, aplikon në fakultetin e Mjekësisë në Beograd, bashkë me një shoqe, ku regjistrohet.
Por, pasi shoqja e saj nuk mundi të pranohet dhe me faktin se për një femër shqiptare ka qenë shumë vështirë të studiojë serbisht dhe në Beograd, ajo nuk mundi të shkojë, por u orientua në Prishtinë.
Shkollimi i femrës në atë kohë ishte vetëm një ëndërr e mirë për shumëkënd, por Rukija e kishte bërë realitet këtë ëndërr meqë e kishte edhe përkrahjen e familjes.
Në Prishtinë, Fakultetin në Degën e Historisë e kryen në afat rekord dhe në vitin 1965, kthehet në vendlindje, ku punësohet në Normalen e atëhershme “Skënderbeu” në Gjilan.
Ishte e përkushtuar në shkollimin dhe emancipimin e femrës shqiptare, prandaj nuk përtonte të shkonte shtëpi në shtëpi dhe fshat në fshat për të biseduar dhe për t’i bindur familjarët se femra shqiptare duhet shkolluar.
Në vitin 1967, bashkë me një grup profesorësh, pranuan që çdo ditë të udhëtonin në Komunën e Vitisë me qëllim që të hapin paralelen e ndarë të Gjimnazit të Gjilanit me mësim në gjuhën shqipe, me të vetmin qëllim që të kontribuojë në shkollimin e nxënësve shqiptarë.
Kështu, ajo për herë të parë u ligjëron nxënësve për historinë e kombit shqiptar, lëndë kjo që deri atëherë nuk ishte ligjëruar me ndonjë interes të veçantë në shkollat e Gjilanit.
Rukija u tregua e guximshme për t`i mbrojtur nxënësit e saj nga akuzat për pjesëmarrje në demonstrata.
Rruga, puna dhe entuziazmi i saj ndërpritet nga një sëmundje e rëndë dhe e pa shërueshme, në vitin 1970, kur ndërroi jetë më 22 nëntor, në spitalin e Shkupit.
Rukije Haliti ishte femra e parë shqiptare e diplomuar në Fakultetin e Filozofik në Prishtinë nga Regjioni i Anamoravës.
Puna dhe angazhimi i saj ka lënë gjurmë të pashlyera në shkollimin dhe emancipimin të femrave shqiptare.
Respekti i qytetarëve të Anamoravës ndaj Rukijes, si profesoreshë e parë në Anamoravë dhe kontributi i saj në emancipimin e femrës shqiptar, e tregon më së miri, pjesëmarrja masive në varrimin e saj.
Ajo ishte një engjëll i dijes dhe shembull i rrallë e një edukatoreje të arsimit shqip.
Sot një rrugë në Gjilan mban emrin e saj dhe kjo tregon se ajo ende kujtohet nga ish nxënësit, kolegët dhe bashkëvendësit e saj.
Rukija i takon plejadës së historianëve të njohur kosovarë, siç janë: Muhamet Pirraku, Femi Pushkolli, Abdyl Tahiri, Hysen Latifi etj. Ajo ka qenë një femër me tipare e dije të jashtëzakonshme. /Mediafokus.info

