Kjo qeveri jeton përtej realitetit kosovar

Izmi Zeka

Kam përcjellë përafërsisht këtë tremujor të këtij viti, përmes portaleve kosovare se çfarë projektesh kanë filluar apo janë në fillim të tyre dhe konkludimi del – asnjë.

Mbase dikujt do t`i duket e çuditshme kjo, por faktet flasin për një gjë të tillë.

Sa u përket komunave, ato veç janë në një kolaps investiv, pasi që Qeveria e Kosovës, përveç që ka ndalur projektet e nisura, as që ka menduar për investime të reja.

Kapacitetet e komunave për projekte madhore, janë të vogla. Në këtë tre mujor, aty-këtu nëpër komuna mund shohësh ndonjë projekt minor, që shikuar në aspektin zhvillimor, nuk paraqet asgjë.

Përveç që investimet nuk janë askund, për më tepër qytetari ynë është buzë krizës më të madhe ekonomike që nga pas lufta.

Në këtë relacion ka pasiguri totale.

Kësaj qeverie i mungon dija. Kjo qeveri jeton nga fjalët e patetizmi. Kjo qeveri jeton përtej realitetit të krijuar pas pandemisë.

Nga kriza ekonomike që ka mbërthyer Evropën, pas luftës në Ukrainë, nuk është bën përjashtim as Kosova.

Kjo qeveri po e varfëron popullin. I mungon shpirti zhvillimor dhe merakosja për jetën e popullit.

Se si jeton kjo Qeveri nga propaganda, mjafton të shikohen portalet në këtë tremujor.

Deklarata për luftën në Ukrainë. Patriotizëm në raport me Serbinë.

Mbase po harrojnë që Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe i çliruar para 2 dekadave.

Përkujtime, teza filozofike, analiza përtej Kosovës mbi politikat gjeostrategjike evropiane.

Tre muaj mbledhje qeverie, vendime, shkarkime, akuza, por jo strategji veprimesh zhvillimore.

Parlamenti ma shumë po bën folklor. Debate të nxehta, sa për reklamë. Shtyrje deri në tradhti por assesi gjëra të mençme që është interes i jetës së qytetarëve.

Qytetari do kushte jetese, kurse qeveria merret me Ukrainën. Fëmijët duan shkollim e qeveria merret me Sartrin.

Ndoshta edhe robëria e gjatë, qytetarin e ka mësuar të durojë derisa t`i shkel edhe kurrizin e pastaj të reagojë.

Ky tremujor shquhet edhe për një skenë teatrale që po e quaj të tmerrshme dhe luftë në hije ndaj veteranëve dhe luftës çlirimtare nga kjo Qeveri.

Ky tremujor ka edhe diçka të veçantë, luftë ndaj mediave të shkruara dhe elektronike.

Analizoni këtë tremujor dhe mund të shihni vetë çka ka ndodhur, pa e elaboruar askush.

Të njëjtë, përafërsisht, janë edhe muajt tjerë të ikur, mbi një vit e gjysmë.