Klienti i një kompanie tenton të deponojë mbi 600€ false në një bankë në Gjilan
Një rast parasë së falsifikuar është zbuluar të enjten në Gjilan, ku një qytetar ka tentuar të kryejë pagesë në degën e një banke komerciale.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se më 17 korrik 2025, rreth orës 15:00, punëtorja e bankës, ka raportuar se gjatë procesit të verifikimit të një transaksioni nga një klient rreth 57-vjeçar, përfaqësues i një kompanie, 300 euro të ndara në kartëmonedha prej 50 eurosh, kanë rezultuar të dyshuara si të falsifikuara.
Sipas denoncueses, rasti nuk ishte i vetmi: më 15 korrik 2025, rreth orës 22:41, i njëjti person kishte deponuar 2,000 euro në bankomat, ku më pas ishte konstatuar se 350 euro ishin të dyshuara për falsifikim.
Rasti është iniciuar si “Falsifikim i parasë” dhe, me vendim të Prokurorit për Krime të Rënda, është proceduar për hetime të mëtejshme.
Paratë e konfiskuara do t’i nënshtrohen analizës së ekspertizës forenzike.
Hetimet janë duke vazhduar nga Njësia për Hetime në Gjilan. (foto ilustrim)

