Klinikat dhe spitalet janë të stërmbushura me pacientë

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka deklaruar se përkundër se gjatë kësaj jave ka pasur një rënie të lehtë të shifrave të të infektuarve me COVID-19, klinikat e QKUK-së dhe repartet e spitaleve vazhdojnë të jenë të stërmbushura.

“Edhe më tutje gjendja paraqitet e ngarkuar nëpër spitalet dhe klinikat tona. Janë me numër të madh të pacientëve….Edhe pse numri ditëve të fundit është më i vogël, krahasuar me javën e kaluar kur kishim deri në 900 pacientë që merrnin trajtime nëpër spitalet tona, ky numër vazhdon të jetë i lartë dhe klinikat tona janë të stërmbushura me pacientë. Aktualisht në të shtatë spitalet regjionale, kemi pacientë që janë duke u trajtuar”, tha Krasniqi.

Sipas tij, varianti i ri britanik ka treguar se është më shpejt i përhapur por që numri i pacientëve që janë të shtrirë nuk dallon shumë nga viti i kaluar kur ky variant nuk ka qenë i pranishëm në vendit tonë.