“K’naqnu lokes, sa jeni t’ri, se kur t’plakni si unë, kejt dynjanë me jav dhanë, sen s’ju vynë”
Çfarë dhurate më të madhe mund të kemi sesa të arrijmë një shekull jetë? Cili mund të jetë urimi më i mirë, cila mund të jetë trashëgimia më e mirë se t’u tregosh njerëzve atë që ke përjetuar nëpër katër e më shumë gjenerata; se e mban mend fshatin me 25 shtëpi që tash numëron 85 sosh… apo se e mban mend ”kohën e turkit”, “… t’kralit”, ” … t’bugarit”, “të ‘talianit” apo “kohën e Rankoviqit” e “kohën e komunistit”, po edhe vlimet e tjera brenda kësaj periudhe si “të 68-tën”, “81-shin” e për të 90-tat dhe luftën e fundit të Kosovës për çlirim, lufta e fundit e shkive, siç shprehen ata vetë…
Hysnije Sejdiu (1918-2020) nga fshati Vërbicë e Zhegocit është njëra nga këto personazhe, që kanë shkelur shekullin.
Më kishte rastisur ta takoja loken Hysnije, bile edhe shkoja qëllimisht të bisedoja me të, sepse ishte shumë komunikative dhe rrëfente shumë ngjarje nga jeta e saj dhe të trevave.
E kisha takuar edhe në vitin 2012 kur e përgatitja ekspozitën për nder të 100 vjetorit të Shqipërisë.
Kisha biseduar gjatë e gjatë me të; ishte shumë komunikative dhe mbante mend shumë nga jeta e vështirë e saj, siç thoshte edhe vetë:
“Përpara u kanë shum e shtirë jeta n’katun, lokes, e ranë. Kemi pasë punë pa u nalë hiç. Shpija, fmija, musafirtë… tevona, fushën, gjajën… krejt janë kanë gajle”.
Doja të dija më shumë për jetën e saj, por dhe në përgjithësi, për rrethanat e asaj kohe.
Ajo thoshte: “Lokes, û kanë shum shtirë m’e sigurue kashoren e gojës për dimen. Ata qi e bajshin bukën për ni vjet, ishin pasanikë. Po t’rrallë janë kanë, t’rrallë. Poplli û kanë fukara kah idarja. Na kem jetue pi fushës edhe bylmetit. Tana ju e dini ma mirë se unë, ktu pari ka pasë gjithmonë pushtues, tue ja nis pi kohës kralit e deri te funi i ktij kasapit, Millosheviqit ”.
Për një moment ndaleje mendonte. E kuptoja sepse fshati i tyre ishtë bërë shkrumm e hi në luftën e fundit (1999).
Po cili prej pushtuesve ishte më i rëndi apo më i keqi sipas saj?
“Kejt janë kanë t’kqij lokes, pushtues ma…ama kta t’Milloshit janë kanë ma t’kqi se kejt… s’kishin pas hiq shpyrt, se me vra fmi, me poshtnue gra e çika t’reja, kto lokes vej shkavi munet me ba, kurkush qeter n’ket dynja nuk ka ba si kta … Shka kemi pasë, naj kanë ba shkrum e hi, s’kemi pasë as ku m’u kthy … ktu n’katun, përnime s’kan kursy kurgja”.
Nuk doja ta mundoja më shumë. Ajo me një shekull jetë, s’harronte për t’na porositur:
“K’naqnu lokes, sa jeni t’ri, se kur t’plakni si unë, kejt dynjanë me jav dhanë, sen s’ju vynë”. (Verbicë e Zhegovcit – lagjja Alibabët, Mars 2019)./Muhamed Sadriu – ‘Bukuria e Rrudhave’/
…………………………………………………………
Note: Mediafokus.info mban ekskluzivitetin e publikimit të artikujve nga libri ‘Bukuria e Rrudhave’. Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe përdorimi i tekstit apo copëzave të tij.


