“Kodër-huti” – ku gjendet ky vend dhe çfarë lartësie mbidetare ka?

Izeir Hyda

(Toponimet e vendlindjes sime, Pogragjë)

Fshati Pogragjë gjendet në krahun jugor të lumit Morava. Territori i këtij fshati është kryesisht, kodrinor e malor, por ka edhe fusha të gjëra me livadhe e ara shumë pjellore, që shtrihen në drejtimin lindje-perëndim.

Kodrat që shtrihen në dy anët lumit të Sllubicës, krijojnë një sipërfaqe, relativisht të mirë, të tokave të punuara, të cilat ka mundësi të ujiten, sidomos, pjesa mbi Mullirin e Kamerit.

Mirëpo, fusha kryesore e Pogragjës shtrihet në dy anët e lumit Morava, prej perëndimit në lindje.

Do me thënë menjëherë, pasi ta kalojmë Grykën e Kalasë – Klisyrën, para nesh, paraqitet një sipërfaqe e madhe e tokave të punuara dhe livadheve të cilat kufizohen nga të gjitha anët me kodra e male.

Në dy anët e lumit Morava, aty ku përfundojnë fushat, fillojnë kodrat e malet, me format e tyre të buta dhe kështu krijojnë një rreth-horizont, aty ku na duket, se qielli puqet me tokën.

Pogragja gjendet në një fushëgropë, kështu që në relievin e Pogragjës mbizotërojnë kodrat e malet, të cilat me format e tyre të sheshta, krijojnë mundësi shumë të mira për shfrytëzimin në çdo cep të tyre.

Dy lumenjtë, lugjet dhe përrenjtë e shumtë, që derdhen në lumin Morava, kanë forma të stërzgjatura, prej pesë deri në dhjetë kilometra, të cilët gjatë vërshimeve të sjellin materiale të shumta, që dëmtojnë fushën kryesore të Pogragjës.

Kodrat e Pogragjës kanë lartësi të ndryshme, prej Kodrës së Tumës, si kodra më e afërt e më e ulët, 507m lmd, deri te kodra më e largët dhe më e lartë – Dupilla (900m lmd).

Pika më e ulët është rrafshina në anën e djathtë të lumit Morava, pikërisht aty ku shtrihet fshati.

Pra, Pogragja ka lmd 460m, 90m më ulët se lmd e Gjilanit.

Lartësia mesatare e territorit të Pogragjës është 650m, përafërsisht sa lartësia mesatare e Shqipërisë ose dy herë më e lartë se mesatarja e Evropës.

Pra, malet e kodrat e Pogragjës kanë forma e drejtime të ndryshme, të cilat përmes këtij relievi na lidhin me fshatrat përreth Pogragjës dhe me qytetet si, Gjilanin, Bujanocin dhe Preshevën, si dhe përmes Moravës, me Malësinë e Dardanës.

Edhe pse relievin e Pogragjës e karakterizojnë kodrat e malet, megjithatë fshati ka një infrastrukturë rrugore, mesatarisht të mirë, që kalon përmes grykave, lugjeve e qafë-maleve që i mundëson një komunikim të mirë me të gjitha fshatrat përreth.

Ndërkaq, me qytetin e Gjilanit lidhet përmes rrugës se asfaltuar Gjilan-Malishë-Uglar-Pogragjë që kalon përmes Grykës së Klisyrës, për të vazhduar lidhjen me rrugën ‘Bulevardi i Luginës’ që kalon Qafën e Dobrosinit dhe vazhdon në Dobrosin (Selamitrin), Lluçan, Bujanoc, Vrajë… d.m.th. me Kosovën Lindore.

Këto rrugë janë ndërtuar mbi trasenë e rrugëve të vjetra që kanë lidhur Ulpianën me magjistralen Nish-Shkup, apo me të ashtuquajturën “Magjistralja e Kështjellave, një rrugë qarkore, që nismën e ka në Lypjan, e që ka vazhduar nëpër Zhegër, nga ka kaluar udha e vjetër romake, e cila kishte lidhur Artanën, nëpërmjet Prizrenit, me bregdetin a Adriatikut, Llabjan, Artanë, Përlepnicë, Miresh, Pogragjë, Zhegër, Pidiq, Gërnçar, për t’u kthyer prapë në magjistralen Prishtinë – Shkup”. (Sherafedin Kadriu, ‘Kalaja’, fq. 42).

Qëllimi i këtij shkrimi, janë toponimet e disa maleve, si emra gjeografik, që në vartësi të relievit, apo të përkatësisë, kanë marrë emrat e tyre, emra që janë ruajtur deri në ditët tona si: Çuka, Kodra e Nërmjeme, Kodra e Nurës, Kodërhuti, Dupilla.

Çuka (Çuka e madhe dhe Çuka e vogël)

Njëra ndër pesë kodrat karakteristike që i përmendëm është Kodra e Çukës – Çuka.

Emër-vende me këtë toponim ka shumë në të gjitha trojet shqiptare.

Çuka – maje e lartë e një mali, zakonisht me maje të zhveshur.

Pra, kodër me një maje të tillë të zhveshur është Çuka e Pogragjës.

Çuka shtrihet në perëndim të fshatit Pogragjë, në anën e majtë të Kalasë së Pogragjës, përballë fushës se Basilegut, ndërmjet Përroit të Larushës, ngjitas me Rrasën e Guvenit. Kjo kodër ka lartësinë mbidetare rreth 600m.

Kodra e Çukës ka dy pjesë: Çuka e madhe dhe Çuka e vogël të cilat i ndan Prroni i Laknave, i cili kalon përmes Fushës së Basilegut dhe dredhet në lumin Morova.

Thuhet se në shumicën e Çukave ka varreza.

Pra edhe në këtë kodër, në Çukën e Pogragjës ka varreza:

Në rrafshin majë Çukës, aty ku kanë luajtur çobanët, ka varreza dhe sipas një një varianti më të vjetër janë quajtur Varret e Sudave, ndërkaq sipas një varianti tjetër ky vend quhet Varri i Çobanit.

Ndërkaq, në rrënzën e Çukës, aty ku derdhet Përroni i Lopëve janë dy parë varreza: Vorret e Shkive dhe Vorret e Nemcit.

Vorret e Shkive janë të kohës më të re, janë të kohës së kolonizimit të Mbretërisë SKS (1918-1929), në të cilat janë varrosur të vdekurit e familjeve serbe e malazeze për kohën sa kanë qenë të vendosura në Pogragjë dhe te Mrizi i Caparit.

Varret e Nemcit janë më të vjetra. I takojnë kohës së Pikolominit (1683-1689).

Këto, katër varre, janë të ushtarëve gjerman që janë vra gjatë luftës së ushtrisë austro-hungareze kundër ushtrisë osmane.

Ushtria austro-hungareze komandohej nga gjenerali austro-hungarez, me prejardhje italiane, Enea Silvio Piccolomini, i cili pasi e fitoi këtë këtë luftë, e ndau ushtrinë në dy pjesë: pjesa e parë u komandua prej kont Badenit, që u nis në drejtim të Vidinit (Bullguri), kurse e dyta me gjeneral Pikolomoinin u nisë për në Kosovë ku u mirëprit nga shqiptarët të cilët i kishte organizuar Pjetër Bogdani.

Thuhet se këto varre janë të ushtarëve gjermanë, që kanë mbetë nga këto luftëra, dhe për atë quhen Varret e Nemcit, sikurse edhe udha e vjetër Preshevë – Gjilan, aty kah kaloi ushtria gjermane që mori emrin Udha e Nemcit. (‘Nga toponomia e Preshevës’).

Kodra e Nërmjeme

Kjo kodër gjendet në anën e djathtë të Përronit të Lopëve. Shtrihet ndërmjet dy lugjeve dhe dy kodrave pak më të larta.

Është ndërmjet tyre, dhe për atë, e ka marrë emrin Kodra e Nërmjeme. Te kjo fjalë ka ndodh dukuria gramatikore e sinkopës.

Sinkopa është dukuri gramatikore kur një tingull a një grup tingujsh bie nga trupi i fjalës si, shtëpi – shpi, atëherë – aherë, kështu – kshtu.

Pra nga fjala e ndërmjetme kanë rënë tingujt (d) dhe (t), n(d)ërmje(t)me – nërmjeme. Kodra e Ndërmjetme – Kodra e Nërmjeme.

Kodra e Nurës

Kodra e Nurës gjendet në anën e djathtë të Përronit të Lilës, përskaj udhës së Rabës, në anën e djathtë të rrugës Pogragjë – Slubucë.

Në ballë të kësaj kodre ka lisa të mëdhenj që pogragjasit i quajnë Lisat e Nurës.

Ky vend më herët ka pas një emër tjetër – Shllunga e Lutës, që ka shënuar fundit e shtëpive të Pogragjës së atëherëshme.

Kjo është një Kodër e ulët me vetëm 500m lmd.

Tregimet që janë përcjellë deri në ditët tona flasin për një minierë hekuri, që ka ekzistuar më herët, galeria e së cilës është mbyllur për shkak se nga ajo ka shpërthyer ujë i madh.

E kanë mbyllë fshatarët, me çka kanë mundur, që t’i shpëtojnë shtëpitë e tyre.

Edhe sot vërehet forma e kësaj galerie dhe në rrafshinën e kësaj kodre ka copa të xeheve.

Kodërhuti

Është një kodër karakteristike për kullosat që ka. Kjo kodër me një sipërfaqe të madhe me forma të buta shtrihet ndërmjet Përroit të Bunarit dhe Përronit të Borotinit.

Ky emër-vend hyn në llojin e toponimeve me emra shpezësh si, Përroi i Laraskave, Lugi i Qyqes, Fusha e Pllumav.

Kodërhuti, është katër kilometra, lar nga fshati dhe arrin lartësinë mbidetare 600m.

Dupilla

Dupilla është kodra më e largët nga fshati dhe më e larta, nga të gjitha kodrat tjera që arrin 900m lmd.

Horizonti i kësaj kodre, për momentin, shënon kufirin artificial ndërmjet Kosovës dhe Kosovës Lindore. Është ‘kodra’ që ndan padrejtësisht Pogragjën, komunën e Gjilanit me komunat Bujanocit dhe Preshevës dhe me një numër të madh fshatrash shqiptare.

Edhe për kundër kësaj ndarje, Pogragja gjithmonë i ka kultivuar lidhjet miqësore me familjet e këtyre qyteteve e fshatrave.

Gjithashtu, përmes rrugës Bulevardi i Luginës është zhvilluar, pandërprerë edhe tregëtia e pogragjasve me Kosovën Lindore.

Kjo kodër e madhe i takon fshatrave nga dyja anët dhe shfrytëzohet nga të gjithë. Pylli jonë dhe pylli i tyre dy pulla – Dupilla.

Duke u bazuar në disa toponime të Pogragjës si, Pylla, Bregu i Pyllës, Pylla e Sherbeleve dhe toponimet rreth Dupillës nga ana e Kosovës Lindore si p. sh., Pilifunc – Pili + func, Pylli + fund, Pylli i fundit, supozojmë se edhe toponimi Dupilla rrjedh nga fjala Du + pilla, Dy + pylla, Dypje, Dupilla, duo – dy.

Këto, edhe shumë koda e male të tjera, së bashku me edhe me fushat, lugjet, përrenjët, pllajat, fushëgropat e përbëjnë relievin e Pogragjës të krijuar për miliona vjet, që do të mbetet i tillë i pa ndryshuar, së bashku me emrat e këtyre maleve, kodrave, fushave… siç thotë gjermani Oswald Splenger:

‘Çdo qytetërim, një ditë, do të kthehet në gërmadhë, vetëm natyra mbetet e përjetshme’.