Koha kur VV thërriste protestë për faturat e rrymës: “Qytetarët më të varfër po paguajnë faturat më të shtrenjta”
Qytetarë të shumtë në vend janë ankuar se këtë muaj iu kanë ardhë fatura të larta të energjisë elektrike. Këto fatura tentuan të arsyetoheshin nga partia që tani është në pushtet. Por, në të kaluarën për çështje të tilla Lëvizja Vetëvendosje bënte thirrje për protesta.
“Qytetarët më të varfër në Evropë po i paguajnë faturat më të shtrenjta të energjisë elektrike”, thuhej në njoftimin e tyre që mbanë datën 4 prill të 2015, kur Vetëvendosje ishte veç një parti, pa ndonjë fuqi ekzekutive.
Ndërkohë që në 2015 bënte thirrje për protesta, tani si kryeministër i vendit, Albin Kurti pati një tjetër sugjerim për qytetarët që u ankuan për fatura të larta.
Ai ka thënë se adresat e vetme për ankesa janë KESCO dhe ZRrE.
Sipas Kurtit, kur ka konsum më të lartë të energjisë elektrike “natyrisht se ka edhe faturë më të lartë”.
“Nëse ka fatura të fryera, KESCO dhe ZRrE janë adresa të cilat duhet t’i adresojnë me seriozitet edhe me shpejtësi të gjitha ankesat, mirëpo nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike. Kur ka konsum më të lartë natyrisht se ka edhe faturë më të lartë. Shtrenjtim të energjisë elektrike nuk ka”.
“Ne i kemi subvencionuar, kemi ndihmuar edhe sa i përket pajisjeve efiçiente për amvisëri edhe për bizneset në vazhdimësi po përpiqemi maksimalisht me ministren Ekonomisë, Artane Rizvanolli që të kenë furnizim të qëndrueshëm edhe çmime të përballueshme, por shtrenjtim të energjisë nuk ka”.
“Nëse ka konsum më të lartë vjen fatura më e lartë dhe natyrisht se ju e dini që ata që kanë kursyer i keni shpërblyer dhe tash kanë pajisje efiçiente me mijëra familje, andaj kush ka dyshime se ju ka fry fatura, KESCO dhe ZRrE është adresa”, u shpreh Kurti, transmeton insajderi.


