Kolegët mbjellin një pemë ulliri në shenjë kujtimi për mjekun që vdiq nga koronavirusi

Kolegët, shokët, miqtë e mjekut të ndjerë endokrinolog Geron Husi, i cili humbi jetën për shkak të covid-19, kanë bërë një gjest prekës në kujtim të tij. Në hyrje të Spitalit të Sëmundjeve te Brendshme në QSUT është vendosur një pemë ulliri, me një mbishkrimin në një pllakë druri, ku shkruhet “Dr Geri, gjithmonë midis nesh”.

Babai i mjekut, duke folur në prani të gjithë kolegëve të të birit të ndjerë, iu drejtua me një apel të drejtpërdrejtë qeverisë.

Babai i Dr. Gerit kërkoi që mjekët të mos lëvdohen vetëm me fjalë të mira pas vdekjes, por të shpallen dëshmorë të atdheut, pasi humbën jetën në luftë nga armiku i padukshëm.

“Një falënderim të vecantë për kolegët miqtë e Gerit nuk lanë fjalë të mirë pa thënë për të e na e kanë lehtësuar plagën e madhe ose gropën e madhe që është hapur.

Meqë i është vënë emri luftë të gjithë ata mjekë duhet të vlerësohen si dëshmorë të këtij kombi se ju u ndeshët me një armik të padukshëm nuk e di sa shteti do dijë ti vlerësojë ata që ikën por dhe ju“, tha babai i mjekut.

Dr. Geron Husi humbi betejën me koronavirusin në datën 13 mars 2021, ndërsa ndodhej i shtruar në Turqi, ku ishte dërguar për kurim me shpenzimet e familjes.