Kolonë rreth pesë kilometra në Morinë për të hyrë në Kosovë – kërkohet test PCR ose certifikatë vaksinimi
Që nga hyrja në fuqi të masave të reja, kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë ka vazhduar të mbingarkohet.
Sipas masave të reja anti-COVID të miratuara nga Qeveria, personat që duan të hyjnë në Kosovë duhet që ta kenë një test negativ për COVID-19 ose certifikatën se e ka marrë njërën nga dozat e vaksinës anti-COVID.
Pritja për të hyrë në Kosovë shkon më shumë se një orë, ndërkaq kolona mund të jetë e gjatë deri në pesë kilometra.
Ndërkohë pranë pikës së kalimit kufitar është vendosur një laborator për test të shpejtë me 25 euro.
Po ashtu, nga data 6 shtator qytetarët që hyjnë në Shqipëri, nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto 3 kushte:
Të paraqesin pasaportën e vaksinimit të plotë, e cila duhet të jetë jo më e vonshme se 2 javë nga data e hyrjes në kufi.
Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve, ose testin e shpejtë (rapid) brenda 48 orëve, ose
Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars Cov2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
Kjo është e vlefshme edhe për ata qytetarë që kalojnë tranzit në Shqipëri. Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.

