Kompleksi banesor në lagjen Iliria ka nevojë për rinovim urgjent

Kompleksi banesor në lagjen Iliria (ish-Kamnik) është ndërtuar në vitet e 80-ta dhe përbëhet prej 6 ndërtesash me nga dy hyrje, ku jetojnë 216 familje me një numër të konsiderueshëm banorësh.

Mimoza Kadriu, këshilltare komunale, e cila e ka ngritur nevojën e intervenimit në këtë bllok banesor, thotë se ky kompleks është ndërtuar para 40 vitesh dhe asnjëherë deri tani nuk është rinovuar, prandaj është e kuptueshme se në çfarë gjendje është sot.

‘‘Çatia është vjetërsuar dhe pikon në shumicën e blloqeve të banimit, ndërsa fasada është dëmtuar nga koha dhe kushtet atmosferike, duke bërë që të mos përngjajnë në hapësira banimi’’, thotë Kadriu.

‘‘Meqë në sektorin e banimit kolektiv, të ndërtuar para luftës, nuk ka mirëmbajtje nga askush, nuk kemi këshilla të banimit dhe as forma tjera të përkujdesjes, intervenimi i Komunës për ta shpëtuar nga degradimi i mëtejmë një kompleks kaq të madh banimi, është i domosdoshëm dhe urgjent’’, thotë ajo.

Komuna ka kryer rinovime të tilla në vitet e kaluara në disa prej objekteve tjera të banimit kolektiv në qytet dhe “Iliria” është gati i vetmi kompleks ku nuk është kryer asnjë investim deri më tani.

‘‘Është kërkesë e jona për Komunën, si qytetarë me të drejta dhe obligime të barabarta, që të intervenojë në sanimin e gjendjes, urgjentisht te çatitë dhe pastaj te izolimi dhe fasadimi i jashtëm dhe i brendshëm, nëse është e mundur, për t`i rikthyer këto ndërtesa në kondita normale për banim’’, thotë tutje Kadriu.

Ajo rikujton se bëhet fjalë për mbi 200 familje me rreth 900-1000 banorë dhe për një kompleks banimi që vlen miliona euro.

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës, thotë se është i njoftuar me këtë problem dhe premton se komuna do të shikojë mundësi si mund të bëjë rregullimin e çative dhe bodrumeve, në mënyrë që pastaj banorët të organizohen përmes këshillave të banimit dhe të bëjnë vetë mirëmbajtjen./Mediafokus.info