Komuna e Gjilanit për herë të katërt largon deponinë e egër në lagjen Iliria

Për të katërten herë gjatë këtij viti, Komuna e Gjilanit e ka larguar deponinë e egër në lagjen Iliria, shkruan Mediafokus.info

Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, ka njoftuar për masa rigoroze ndaj të gjithë atyre që e ndotin ambientin, siç është rasti në këtë lagje në zemër të qytetit.

“Të gjithë ata që e shëmtojnë qytetin dhe e ndotin ambientin, në momentin që hasen nga zyrtarët e Inspekcionit, do të gjobiten sipas ligjeve në fuqi dhe lënda do të drejtohet në organet e shtetit për procedim”, tha Ismajli, derisa ka apeluar qytetarët që të mos e ndotin ambientin duke hudhur mbeturina vend e pa vend.

Ndryshe, Komuna e Gjilanit për gjashtë muaj të këtij viti ka shpallur aksion të pastrimit të qytetit.