Komunat mirëpresin vendimin e Kushtetueses për pezullimin e faljes së 100 eurove
Gjykata Kushtetuese sot ka vendosur që të pezullojë vendimin për faljen e 100 eurove për tatimin në pronë, që është nën i Ligjit për Tatimin në Pronë.
Për zbatimin e këtij vendimi, Kushtetuesja ka vendosur masën e përkohshme deri më 30 nëntor.
Për këtë çështje, në një prononcim për Gazetën Express ka folur kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
“Ne si Asociacion i Komunave të Kosovës gjithmonë i kemi besuar vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ndarjes së drejtësisë. Kemi qenë të bindur se ky vendim do të jetë pro komunave, e kemi mirëpritur këtë vendim dhe besojmë që edhe vendimi final do të jetë pro komunave, se përndryshe komunat do të humbin rreth 30 milionë euro”, tha Ibrahimi.
Mirëpo deri më tani vendimin për faljen e 100 eurove e kanë zbatuar komuna e Drenasit, Obiliqit dhe Graçanicës. Se çka ndodh me këto komuna, Ibrahimi tha se duhet të presin verdiktin përfundimtar të Kushtetueses.

