Komunikata e deklarata të botuara në gazeta: Specialja pranon tabelë me prova të reja në rastin e krerëve të UÇK-së

Një tabelë me dëshmi të sekuestruara në shtëpitë e Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, është pranuar si provë në rastin e krerëve të UÇK-së në Hagë. Tabela përmban komunikata të UÇK-së, deklarata të botuara në disa media e dëshmi të tjera. Nacionale sjell detaje.

10 komunikata e deklarata publike të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së u pranuan si tabelë me prova shtesë në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Këto deklarata e komunikata janë botuar në gazeta si “Zëri i Kosovës”, “Rilindja”, “Bujku” e “Koha Ditore”.

Nacionale ka parë vendimin e trupit gjykues, ku vendimi arsyetohet me faktin se këto prova mund të jenë të rëndësishme për procesin gjyqësor, dhe se nuk ndikojnë në asnjë mënyrë nëse do të vërtetohen apo rrëzohen si pretendime.

Megjithatë, avokatët e Thaçit dhe të tjerëve kanë kundërshtuar vendimin.

“Mbrojtja kundërshton pranimin përmes tabelës së shtyllave të komunikatave të përcaktuara në Shtojcën 1. Në mënyrë të veçantë, Mbrojtja pohon se shumë nga të njëjtat komunikata ishin dorëzuar përmes dëshmitarëve para Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (“ICTY”), ku trupat gjykues pranuan se: (i) këto dokumente ishin shkruar nga individë të ndryshëm, duke përfshirë komandantët e zonës pa dijeninë e Shtabit të Përgjithshëm; (ii) përdoreshin si mjete propagande; dhe (iii) për qëllimin e kësaj fushate, përmbajtja e tyre shpesh ishte ekzagjeruar ose ndryshuar”, thuhet në përgjigjen e avokatëve.

Por, për çfarë deklarata e komunikata është fjala?

“Paneli thekson se këto dokumente përfshijnë: (i) një ripublikim në “Koha Ditore” të një interviste e z. Krasniqi dhënë BBC-së, dy versione të një publikimi të titulluar “mesazh popullit shqiptar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së” botuar në “Koha Ditore” dhe “Zëri i Kosovës”; memorandum i UÇK-së drejtuar bashkësisë ndërkombëtare me titull “Kosova kishte statusin e vet politik historikisht dhe UÇK-ja është Lufta për Pavarësinë e saj” botuar në “Rilindjanda” me shënimin e shkruar me dorë “17.10.1998”; komunikata 60 dhe 7332 e botuar në “Bujku” dhe “Zëri i Kosovës” dhe një komunikatë e panumërt e titulluar “Tendenca e rrezikshme e armikut për përhapjen e konfliktit” botuar në “Koha Ditore””, thuhet në vendimin e trupit gjykues.

Sipas vendimit, paneli ka vlerësuar se në këto komunikata e deklarime ka elemente me rëndësi për rolin e shtabit të përgjithshëm, rolin e të akuzuarve dhe mënyrën e komunikimit me zonat.

“Siç u vërejt tashmë, fakti se një nga qëllimet e komunikatës së UÇK-së mund të ketë qenë për të shërbyer si propagandë dhe se përmbajtja e disa prej tyre mund të përmbajë pretendime të ekzagjeruara nuk i bën ato të papranueshme. Paneli do të përcaktojë, në bazë të të gjitha provave, për çfarë qëllimi apo qëllimesh artikujt kishin për qëllim të shërbenin. Paneli gjithashtu do të shqyrtojë thelbin e pretendimet e bëra aty në dritën e të gjitha provave”, thuhet në këtë vendim të cilin e ka parë Nacionale.

Trupi gjykues në vendim ka theksuar se do t’i qaset me kujdes raporteve të mediave, kjo pasi gazetarët nuk duhet të thirren për të dëshmuar në gjykim.

“Paneli tashmë ka theksuar se do t’i qaset me kujdes raporteve të mediave dhe regjistrimeve të intervistave në media të ofruara nga PSP-ja. 46 Kjo për faktin se personat përgjegjës për përgatitjen e dokumenteve të tilla (gazetarët; redaktorët) nuk duhet të thirren për të dëshmuar nga Prokuroria. Paneli ka marrë parasysh faktin se deklaratat që i atribuohen një individi të caktuar mund të kenë qenë subjekt i komenteve editoriale ose riformulimit. Paneli i ka marrë parasysh këto fakte në përcaktimin nëse do t’i pranojë këto dokumente dhe do ta bëjë këtë përsëri kur të vendosë se çfarë peshën dhe/ose vlerën provuese t’i bashkëngjitet, nëse ka, dokumenteve të tilla”, thuhet në këtë vendim.

Në veçanti trupi gjykus flet për disa deklarata ku diskutohet për funksionin e Hashim Thaçit e Jakup Krsaniqit.

“Deklarata e z. Thaçi është një regjistrim me shkrim i një interviste të dhënë fillimisht në televizionin shqiptar. Asnjë çështje nuk u ngrit në lidhje me saktësinë ose plotësinë e procesverbalit të deklaratës që i atribuohet atij. Ai pasqyron një sërë faktesh dhe rrethanash që ose nuk janë të diskutueshme midis palëve ose të vërtetuara nga provat tashmë të regjistruara. Intervista e z. Krasniqi me BBC (086872-086872) duket të jetë një grup pyetjesh dhe përgjigjesh. Për më tepër, Paneli thekson se deklarata politike nr. 6, një kopje e së cilës është pjesë e 086872-086872, tashmë është pranuar si P00291”, thuhet në vendim.

Prokuroria e Specializuar ka kërkuar edhe pranimin e 61 dokumenteve të cilat janë si drafte të deklaratave publike të UÇK-së. Edhe këto, të konfiskuara në shtëpinë e Jakup Krsaniqit. Këto deklarata përfshijnë edhe shkrime e intervista të Jakup Krasniqit, për të cilat Nacionale do t’i publikojë më vonë gjatë ditës.

“Paneli konstaton se të gjitha pikat janë relevante, ndër të tjera, për çështjet e mëposhtme: (i) ekzistencën, natyrën dhe elementet e një konflikti të armatosur; (ii) ndërgjegjësimin dhe mbikëqyrjen e përgjithshme të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së mbi aktivitetet ushtarake; (iii) themelimi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së; (iv) Përpjekjet e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për ta vendosur veten si zëri i vetëm legjitim në Kosovë; (v) nivelin e organizimit dhe strukturës së UÇK-së dhe marrëdhëniet e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së me zonat dhe brigadat operative; dhe (vi) funksionimin, strukturën dhe hierarkinë e zonave operative; dhe (vii) ekzistencën dhe rolin e Drejtorisë së Policisë Ushtarake të UÇK-së”, përfundon vendimi i trupit gjykues.

Procesi gjyqësor në rastin e krerëve të UÇK-së po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarëve. Deri më tash janë dëgjuar 27 dëshmitarë./nacionale/