Konfirmohen 48 raste pozitive me Coronavirus në Shqipëri
Dita e sotme shënon shifrën më të lartë tërasteve me coronavirus në Shqiperi.
Gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, 48 persona, duke e çuar në 1464 numrin total të të infektuarve.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 270 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19.
Shpërndarja e rasteve të reja është: 24 raste në Tiranë, 8 në Krujë, 4 në Durrës, 3 në Fier, 2 Lezhë, 2 Pukë, 3 Kamëz, 1 Gjirokastër, 1 Elbasan.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 5 persona, ndersa vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv.
Aktualisht në spitalin infektiv po marrin shërbim 52 pacientë, prej tyre 7 janë në terapi intensive dhe një i intubuar.
Në vendin tonë janë aktualisht 389 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.
Ditët e fundit është vënë re rritje e numrit të rasteve në disa aktivitete biznesi, në institucione të ndryshme, në pjesëmarrje në ceremoni mortore dhe grumbullime.
Ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët, bizneset, që në mënyrë strikte të respektojnë zbatimin e masave të rekomanduara: distancën fizike, përdorimin e maskave në shërbim dhe kur nuk është e mundur të respektohet distanca, higjienën personale, dezinfektimin e ambienteve, ajrosjen e tyre, në menyrë që të kufizohet përhapja e Covid19.
Sipas njoftimit, inspektorët e Task-Forcës anti-covid do të vijojnë kontrollet në çdo subjekt, në institucione apo biznese tregtare të çdo lloji, për zbatimin e protokolleve të sigurisë.
Do të vijojë bashkëpunimi me forcat e rendit për kontrollin e vazhdueshëm për zbatimin e karantinës të qytetarëve të konfirmuar pozitive që janë pa shenja dhe që duhet të respektojnë detyrimin për të qëndruar të izoluar.
Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale edhe një herë ka një lutje për qytetarët dhe bizneset të tregojnë kujdes sepse virusi është ende mes nesh.
Mos i neglizhoni shenjat e sëmundjes. Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga Covid19.
COVID-19 – Statistika (13 Qershor 2020) Testime totale 20132 Raste pozitive 1464 Raste të shëruara 1039 Raste Aktive 389 Humbje jete 36 (Qarku Tiranë 21, Durrës 7, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1) Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:/noa.al/