Konkursi i dallavereve: Kryeshefi i KEK-ut largon fajin nga vetja, pritet suspendimi i disa zyrtarëve

Një konkurs i hapur për punësimin e rreth 150 personave nga Korporata Energjetike e Kosovës -KEK kishte shpërfaqur nepotizmin dhe servilzmin ndaj partisë në pushtet. Ka kohë që konkursi është anuluar, por tek tash menaxhmenti i korporatës po u hakmerret njerëzve që ishin pjesë e selektimit për punësimin.

Me urdhër të drejtorit te KEK-ut Nagip Krasniqi, i gjithë komisioni për pranimin e atyre punëtorëve në KEK janë para suspendimit, ka mësuar Periskopi.

“Dje i gjithë komisioni për pranimin e punëtoreve në KEK i cili ishte anuluar muaj më parë për shkak te presioneve dhe shkeljeve që janë gjetur, janë në komision disiplinor dhe pritet largimi ose supendimi nga puna. Brenda disa ditësh pritet masa kundër gjithë komisionit i cili ishte pre pranimin e punëtoreve. Pra, për ta larguar fajin nga dështimi drejtor i ka dërguar në komision komplet komisionin për pranimin në punë”, ka thënë për Periskopin një burim brenda KEK-ut.

Lidhur më këtë veprim të kryeshefit të KEK-ut, Periskopi ka kërkuar një përgjigje zyrtare nga Korporata, por deri në momentin e publikimit të tekstit nuk ka marrë një përgjigje.

Në konkursin e hapur nga Korporata Energjetike, ishin pranuar 128 persona, shumë prej tyre familjarë të zyrtarëve të atyshëm dhe militantë të partisë në pushtet. Në konkurs patën aplikuar fiks 4668 persona. Komisioni vlerësues ishte kujdesur që fillimisht të pranojnë në punë familjarë të tyre të rrethit të parë. Në të dytin ishin pranuar në punë militantë të Vetëvendosjes.

Pas shumë raportimeve në media, dhe presioneve nga shoqëria civile, konkursi ishte anuluar

Sipas një njoftimi nga KEK-u, komisioni i pavarur për vlerësimin e procesit të rekrutimit kishte rekomanduar që të anulohet procesi duke nisur nga selektimi, rezultatet e testit me shkrim dhe intervistat me gojë për të gjitha pozitat e shpallura dhe për përsëritjen e këtyre fazave për të gjithë kandidatët që i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs. Komisioni i pavarur përbëhej nga një ekspert i pavarur ligjor i angazhuar në projektin e Bashkimit Evropian për reforma në administratën publike, një ekspert i pavarur i proceseve të rekrutimit dhe zyrtari ligjor i KEK-ut.

Për procesin kishte pasur rreth 230 ankesa.

“Përtej kësaj, komisioni kishte trajtuar edhe tërë procesin e rekrutimit duke filluar nga selektimi, testimi me shkrim dhe testimi me gojë, duke përfshirë edhe pretendimet publike. Bazuar në të gjeturat, komisioni i pavarur ka dhënë rekomandim për anulimin selektimit, rezultateve të testit me shkrim dhe intervistave me gojë për të gjitha 127 pozitat e shpallura me konkurs, bazuar në të cilin është marrë edhe vendimi i Kryeshefit Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës”, thuhej në njoftim të KEK-ut.

KEK-u kishte thënë se kandidatët e selektuar në fazën e parë do të njoftohen individualisht dhe ata nuk do të kenë nevojë për riaplikim në konkurs. Por, megjithatë konkursi nuk është hapur akoma.

Përzgjedhja e më shumë se 100 personave për t’u punësuar pati bërë bujë në Kosovë, pas dyshimeve se shumica e tyre ishin të afërm të njerëzve të pushtetit. Partitë opozitare patën akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet se ka emëruar militantë. Kryeministri Albin Kurti pati mohuar akuzat.

Më 5 prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë pati njoftuar se ka nisur hetimet në lidhje me punësimet në KEK.

Prokurori kishte thënë se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, konform dispozitave ligjore në fuqi./Periskopi/l