Konsulli i shkarkuar mbrëmë nuk e njeh vendimin e Vjosa Osmanit
Ndër katër konsujt e shkarkuar mbrëmë nga u.d. e presidentes, Vjosa Osmani-Sadriu, është edhe Lindon Kqira, konsulli i Kosovës në Shkup.
Ky i fundit nuk e njeh vendimin e Osmanit pasi e quan tendencioz, arbitrar, vendim politik dhe përçarës, e mbi të gjitha thotë se është antikushtetues dhe i paprecedent në diplomacinë e Kosovës.
“Nuk e njoh vendimin arbitrar dhe politik të u.d. së presidentes Osmani. Me vetëdije dhe përgjegjësi të plotë, deklaroj se nuk njoh dhe as nuk e perfilli vendimin për shkarkimin tim, nga pozita e konsullit-ministrit këshilltar, në Ambasadën e Republikës së Kosovës, në Shkup, nga zonja Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe u.d. e presidentes së Republikës së Kosovës. Ky vendim në radhë të parë është tendencioz, arbitrar, vendim politik dhe përçarës, e mbi të gjitha është antikushtetues dhe i paprecedent në diplomacinë e Kosovës”, thuhet në reagimin e Kqirës.

