Kontrabanduesit të testeve për Covid i caktohet një muaj paraburgim

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit dhe i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë kontrabanduesit të testeve Covid, të pandehurit D. M.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, duke qenë në njohuri me situatën e krijuar me pandeminë Covid-19 dhe shqetësimin e madh të krijuar tek qytetarët, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për personin tjetër, ka kontrabanduar mallra me automjetin e tij.

Në pikën kufitare të Muçibabës, gjatë kontrollimit nga policia e Kosovës, të pandehurit i janë gjetur 930 copë teste VIDAS-STR për Covid-19 dhe pjesët përcjellëse si: 12 teste shishe të mëdha, 25 copë teste shishe me kapak të kuq, 50 copë teste shishe me kapak të bardhë, 31 copë teste qese alumini dhe 21 copë ftohësa të ndryshëm për teste Covid-19, për të cilat ai nuk posedonte asnjë lloj të dokumentacionit përcjellës dhe dyshohet se ishin sjellë nga territori i Serbisë.

Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale ‘kontrabandimi i mallrave’’, thuhet në njoftimin e Gjykatës.