Kooperativa “Krusha”: S’morëm asnjë mbështetje nga Ministria e Bujqësisë, të trajtohemi me drejtësi

Kooperativa bujqësore “Krusha” thotë se pavarësisht rolit të rëndësishëm në eksport, nuk kanë marrë asnjë mbështetje nga Ministria e Bujqësisë.

Pas lajmit se Ministria e udhëhequr nga Faton Peci i dha 100 mijë euro grant Blerim Pacollit, vëllait të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, KB “Krusha” reagoi lidhur me refuzimin e aplikimit të tyre për grant.

“Kooperativa Bujqësore “Krusha” shpreh shqetësimin dhe zhgënjimin e saj lidhur me vendimin e fundit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), e cila refuzoi aplikimin tonë për grante me arsyetimin se mungonin dokumentet plotësuese lidhur me trajtimin e ujërave dhe përshkrimin teknologjik të procesit të prodhimit”, thuhet në fillim të reagimit të kooperativës së Fahrije Hotit, e cila është një nga 200 gratë e fshatit Krushë e Madhe të Rahovecit që humbën bashkëshortët, djemtë ose të gjithë bashkë gjatë luftës në Kosovë.

Refuzimi, KB “Krusha” thotë se u erdhi me një vit vonesë.

KB “Krusha” sqaron se “nuk ka përfituar asnjë grant nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) që nga viti 2015”.

“Në atë kohë, edhe pse u shpallëm përfitues, procesi u shoqërua me vështirësi dhe pagesa e grantit nuk u realizua plotësisht për shkak të problematikave procedurale nga ana e institucioneve. Që nga ai vit, nuk kemi marrë asnjë mbështetje nga MBPZHR, pavarësisht rolit tonë të rëndësishëm në sektorin e bujqësisë dhe eksportit”.

“Pas vendimit të refuzimit, ne paraqitëm ankesë në përputhje me procedurat ligjore dhe shpresuam në një rishikim të drejtë dhe të paanshëm. Megjithatë, vendimi u kthye përsëri si refuzim, këtë herë duke u bazuar vetëm në një pikë të vetme, duke krijuar përshtypjen e një trajtimi të padrejtë. Agjencia sugjeroi që të ndjekim rrugën gjyqësore për ta sfiduar këtë vendim, por një procedurë e tillë paraqet sfida të mëdha për një organizatë si e jona”, sqaron kooperativa ku punojnë gra të këtij fshati.

KB “Krusha” i falënderon, ndër tjerash, Komisionin Europian, GIZ-in gjerman e USAID-in për mbështetjen.

“Dëshirojmë të falënderojmë Komisionin Evropian, GIZ-in gjerman, USAID-in, SwissContact donatorët vendor dhe ndërkombëtar, bizneset dhe fermerët për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, e cila ka qenë thelbësore për funksionimin tonë. Falë tyre, KB “Krusha” ka arritur të eksportojë produkte bujqësore në tregjet e Evropës dhe SHBA-së, duke promovuar bujqësinë kosovare në nivel ndërkombëtar”.

Pavarësisht kontributit, kooperativa “Krusha” thotë se nuk po mbështeten, ndërsa u bëjnë thirrje institucioneve që t’i shqyrtojnë me kujdes politikat e tyre dhe të trajtohen me drejtësi.

“Me gjithë këtë kontribut dhe përkushtim, që nga viti 2015 nuk kemi marrë asnjë mbështetje nga MBPZHR. U bëjmë thirrje institucioneve të shqyrtojnë me kujdes politikat e tyre për të siguruar që organizatat si KB “Krusha”, që japin një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, të trajtohen me drejtësi dhe të marrin mbështetjen e merituar”, thuhet në fund të reagimit.