Korça, Kosova, Kallashnikov

Korça nuk zgjodhi personin e duhur për të promovuar prodhimin e saj, sepse u përcaktua për një këngëtar serb, i cili njihet për këngën ‘Kallashnikov’, që thuhet se ka motivuar luftën e serbëve ndaj boshnjakëve, shqiptarëve dhe të tjerëve. Organizatori nuk mund t`i bënte anti-reklamë më të madhe se kaq birrës ‘Korça’.

Kontraversi Goran Bregoviq, duke qenë në dijeni për ‘zhurmën’ që u bë ndaj pjesëmarrjes së tij në festivalin e birrës ‘Korça’ e nisi koncertin me një këngë shqipe ‘Kosovarja’ dhe e mbylli me këngën ‘Kallashnikov’, e cila ishte shkaku i refuzimit të tij, sidomos nga kosovarët.

Edhe te pasqyrimi në media i paraqitjes së Bregoviqit, kishte dallime në Kosovë dhe Shqipëri. Mediat e Kosovës u përqëndruan më tepër te pjesa e reagimeve dhe incidentet, derisa ato shqiptare – vëmendje i dhanë paraqitjes së këngëtarit dhe atmosferës që krijoi ai në raport me publikun dashamirës, pa u marrë fare me gazin lotësjellës dhe arrestimet.

Sidoqoftë, trinomi i këtij festivali, që s`do mend krijoi edhe ndasi mes shqiptarëve, shkaku i Goran Bregoviqit, mbetet Korça, Kosova dhe Kallashnikov. Humbësi më i madh i momentit është birra ‘Korça’, sepse ajo do të refuzohet tani e tutje, të paktën për një kohë, nga kosovarët, kurse dihet që serbët, prodhimet e veta nuk i ndërrojnë me të huajat asnjëherë.

Koha do të tregojë nëse kjo ishte zgjedhja e duhur për të promovuar birrën ‘Korça’, ose jo. /Mediafokus.info