Koronavirusi e ndan nga jeta bacën Rexhë
Ka ndërruar jetë Rexhep Kuçi, udhëheqës i Qendrës Handikos në Suharekë. Kuçi nuk ka arritur ta fitojë betejën me COVID-19.
“Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se sot pas një beteje me virusin COVID-19 ka ndërruar jetë udhëheqësi i Qendrës së HANDIKOS-it në Suharekë, Rexhep Kuçi.
Rexhep Kuçi apo baca Rexhë, qysh e kemi quajtur i gjithë stafi, por edhe personat me aftësi të kufizuara, qysh në vitet e 90’ta kishte nisur përkushtimin dhe dedikimin e tij të madh në mbështetje të të drejtave dhe mirëqenies së komunitetit tonë në përgjithësi.
Ai punën e tij të pakursyer për tri dekada e kishte deri në ditët e fundit për personat me aftësi të kufizuara, jo vetëm në Suharekë por në gjithë Kosovën, duke kontribuar në vendosjen e shtyllave më të forta edhe për organizatën HANDIKOS.
Respekt për veprën dhe punën e tij të deritanishme, ndërsa ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, miqtë dhe gjithë ata që e kanë njohur bacën Rexhë”, thuhet në njoftimin e Handikos-it.