Kosova do të kthehet në Uashington më e fortë se kurrë – Hamza e mbyll vizitën në SHBA
Kryetari i PDK’së, Bedri Hamza, gjatë vizitës dyditore në Uashington, është takuar me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe DASH’it.
“Dje e përfundova vizitën time të shkurtër dyditore në Washington D.C. Agjenda ishte intensive dhe e konsiderova jetike të paraqes vizionin tim për zhvillimin e Republikës sonë dhe rindërtimin e partneritetit të thellë mes Kosovës dhe administratës amerikane. Pas takimeve me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Departamentit të Shtetit, isha i ftuar edhe në një takim përmbajtësor nga James Carafano, i sapoemëruar Këshilltar i Lartë i Presidentit dhe E.W. Richardson Fellow pranë Fondacionit “Heritage”, institucion i njohur për afërsinë dhe angazhimin në programin qeverisës të Presidentit Trump. Në takim ishin edhe Anthony Kim, redaktor i Indeksit të Lirisë Ekonomike dhe menaxher i angazhimit global në Qendrën për Liri “Margaret Thatcher”, si dhe Max Primorack, ekspert i lartë i çështjeve të sigurisë në këtë fondacion” – ka shkruar Hamza.
Hamza shton se është kthyer “jashtëzakonisht pozitiv” për mundësitë e pashtershme të bashkëpunimit Kosovë-SHBA.
“U ktheva jashtëzakonisht pozitiv për mundësitë e pashtershme të bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-së, pas një periudhe të vështirë të mungesës së komunikimit dhe pezullimit të dialogut strategjik.”
Ai ka thënë se Kosova do të kthehet në Uashington më e fortë se kurrë.
“Kosova do të kthehet në Washington më e fortë se kurrë, me projekte konkrete, me investime të prekshme dhe me përfshirjen e SHBA-së në zhvillimin e hovshëm të Kosovës në diplomaci, ekonomi, sektorin e energjisë, ushtri dhe inteligjencë.”

