Kosova duhet t`i njoh pleqtë e vetë dhe t`i ndajë ata nga pensionistët mashtrues
Është e pajustifikueshme që Kosova po vazhdon të zbatojë ligjin diskriminues të pensioneve edhe 24 vjet pas luftës, thotë juristi Shefki Daku nga Gjilani.
Qytetarët e Kosovës, të cilët nuk kanë 15 vjet e më tepër përvojë pune deri në fund të vitit 1998, periudhë kjo e fillimit të luftës së UÇK-së, gëzojnë pensione bazike prej 100 euro.
Ndërkaq, pensionin e plotë e gëzojnë ata që kanë punuar pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, ndërkohë që të dëbuarit nga puna, të burgosurit gjatë asaj periudhe dhe kategori të tjera janë lënë nën mëshirën e kohës.
Sipas ligjit, “pensioni bazik i moshës u paguhet të gjithë personave që janë shtetas të përhershëm të Republikës së Kosovës, të cilët posedojnë dokumentet e identifikimit dhe të cilët kanë mbushur moshën gjashtëdhjetë e pesë vjeçare”.
Por, në Kosovë, po rezulton se ka edhe pleq mashtrues. Janë banorë të shteteve tjera, ndërsa pensione marrin në Kosovë.
Ka shfrytëzues të pensionit në Kosovë të cilët nuk i njohin dhe flasin gjuhët zyrtare të këtij vendi, thotë tutje Daku.
Ai shprehet i zemëruar me këtë fenomen, sikurse kërkon që Kosova ta heq ligjin diskriminues, i cili të drejtën e pensionit të punës e kushtëzon me 15 vjet stazh para vitit 1998.
“Eshtë koha e fundit që institucionet e Kosovës t`i “njohin” e respektojnë pleqtë e vetë dhe jo të lejojë që të tjerët të “pleqërojnë” në shtëpinë dhe kuletën e saj të varfër”, thotë Daku.

