Kosova fik fenerët e rrugës për të kursyer energjinë

Kosova është renditur krah shteteve evropiane që duke fikur dritat në objekte dhe rrugë të cilat nuk kanë nevojë për drita gjatë natës, si pjesë e një përpjekjeje kombëtare për të kursyer energjinë mes frikës së mungesës së rrymës gjatë sezonit të dimrit.

Krerët institucionalë dhe ata komunalë kanë rënë dakord për këtë plan të veprimit të përbashkët që pret të nis së zbatuari nga kjo javë.

Se KEDS-i për këtë ka marrë ‘aminin’ e Qeverisë dhe disa komunave, e tha për Klankosova.tv, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

“Ne jemi duke u takuar me krerët e komunave dhe ka dakordim për këtë çështje, deri tani jemi takuar me kryetarët e komunave të Prishtinës dhe Gjilanit që kanë shprehur dakordimin dhe mbështetjen e tyre disa objekte dhe rrugë të mos kenë energji elektrike gjatë natës. Kështu sado pak të zbutet kriza e energjisë elektrike”.

“Por, takimet do të intensifikohen edhe me kryetarë të komunave tjera që në përgjithësi e kanë mbështetur këtë iniciativë për kursim”.

Buzhala, mes tjerash, tha se pos dakordimit që për qëllim ka kursimin e energjisë elektrike ka nisur edhe identifikimi i rrugëve dhe objekteve që nuk kanë nevojë për drita gjatë natës, njofton Klankosova.tv.

“Me të gjithë krerët që jemi takuar deri tani e edhe me Qeverinë kemi marrë mbështetjen për këtë plan e veprimit të përbashkët. Bashkërisht jemi duke identifikuar objektet dhe rrugët që nuk kanë nevojë për energji gjatë natës dhe në këtë mënyrë të kursejmë energji elektrike dhe që gjatë dimrit krizën ta kemi më të lehtë për ta menaxhuar”.

“Meqë identifikimi ka nisur gjatë javës pritet që të bëhet edhe finalizimi dhe futja në zbatim e këtij plani të përbashkët”, tha Buzhala për Klankosova.tv.